Gjosha: Thellim bashkëpunimit me Gjermaninë, partner për integrimin

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha gjatë një takim me Ministrin e Çështjeve Evropiane te Rajonit Baden-Württemberg të Gjermanisë, Peter Friedrich, theksoi se qeveria është e angazhuar për të çuar përpara reformat.Ministrat, vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve, duke vënë theksin në thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Ministrja Gjosha, falenderoi Friedrich, për mbështetjen e dhënë nga Gjermania, sidomos në marrjen e statusit të vendit kandidat i cili ishte një moment historik për vendin.Ministrja informoi për procesin e integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se qeveria është e angazhuar maksimalisht të çojë përpara reformat dhe të përmbushë standardet për të avancuar në axhendën evropiane. “Për ne integrimi i Shqipërisë në BE, është prioritet kombëtar. Qeveria është e palëkundur në vullnetin e saj, për të çuar deri në fund reformat e nisura, sidomos ato me rëndësi madhore për të ardhmen e vendit”, u shpreh Ministrja Gjosha.Bashkëbiseduesit vunë theksin në rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ku Ministrja Gjosha nënvizoi angazhimin e vendit në rritjen e bashkëpunimit rajonal. Ministrja vlerësoi maksimalisht vëmendjen që Gjermania po tregon për vendet e Ballkanit Perëndimor.Ministri Friedrich, vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve sidomos në fushën ekonomike. Bashkëbiseduesit, diskutuan për mundësinë e shkëmbimit të eksperiencës   në lidhje me mirëfunksionimin e administratës publike dhe   ngritjen e kapaciteteve. Sektori i energjisë dhe agrikultura ishin dy fusha të tjera, për të cilat Ministri gjerman, shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin me Shqipërinë.Duke u ndalur tek Integrimi, Ministri gjerman theksoi se pavarësisht politikës së BE-së për zgjerimin, Shqipëria duhet përmbushë standardet e kërkuara, në mënyrë që t’i afrohet sa më shumë Bashkimit Evropian.Ministrja Gjosha, shprehu gjithashtu gatishmërinë maksimale për intensifikimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, duke theksuar partnerë të tillë janë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë.