AKU inspekton tregjet, nis nga Rruga e Kavajës, pezullon 2 subjekte

Tiranë- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nisi sot zbatimin e një plani masash për kontrollet në tregjet më të mëdha e të frekuentuara të Tiranës, si dhe në trotuaret e hapësirat publike ku tregëtohen produkte ushqimore.Inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së, të Drejtorisë së AKU Tiranë me mbështetjen e Policisë Bashkiake, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Policisë së Shtetit, inspektuan tregun në Rr. e Kavajës, pranë Kishës Katolike.Nga rezultati i inspektimeve të subjekteve, kryesisht për produktet me origjinë shtazore, AKU bllokoi dy të tilla. Njëri nga subjektet e bllokuara tregtonte mjalt pa fletën e analizave. Në këto kushte, inspektorët e AKU bllokuan aktivitetin e subjektit, ndërsa morën kampionë mjalti për analizë.Në rast se analizat dalin brenda paramentrave të lejuara për tregëtim, atëherë subjekti do të rihapet, por duhet të plotësojë edhe disa kushte higjeno-sanitare, detyrë për të cilat u la nga inspektorët e AKU.Subjekti i dytë i bllokuar tregëtonte produkte bulmeti, si djath, gjalpë, gjizë etj ushtronte aktivitetin e tij pa QKR. Përveç bllokimit, iu morën edhe koampionë për analiza të produkteve që ai tregëtonte.Në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore, AKU do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme aksionet e koordinuara me drejtoritë rajonale, si dhe policinë e shtetit e atë bashkiake, në tregje, trotuare e hapësira publike të tjera në Tiranë, në qarqet tjera të vendit si dhe rugët nacionale.Në fund të këtyre inspektimeve dhe situatës së hasur, Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit do të hartojë një raport vlerësues për këto tregje, të cilat licencohen nga organet e pushtetit lokal.