Sekretari amerikan për mbrojtjen kërkon mbështetjen e Turqisë ndaj IS

Sekretari amerikan për mbrojtjen, Çak Hejgëll, u takua të hënën me presidentin e ri të Turqisë, Rexhep Taip Erdoan, në kuadër të një vizite pune që po zhvillon në Ankara.Një zyrtar i SHBA-së tha se Hejgëll duhet të takohet edhe me ministrin e mbrojtjes së Turqisë, Ismet Jilmaz, Gjeneralin e ushtrisë, Nexhdet Ozel dhe kryeministrin Ahmet Davutolu, për të parë "sa larg do të jetë e gatshmë të shkojë Turqia në koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik, pavarësisht problemeve të brendshme me sigruinë në vend.Turqia ishte i vetmi vend musliman në koalicionin prej dhjetë shtetesh që u mblodhën paralel me samitin e NATO-s në Njuport të Uellsit javën e kaluar. Presidenti amerikan, Barak Obama, e vlerësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin e Ankarasë pasi u takua me Erdoanin të premten e kaluar. Dhe Hejgëll shpreson që të vazhdojë thellimin e bisedimeve pas kontaktit të parë mes Obamës dhe Erdoanit.Turqia, si aleate e SHBA-së në NATO, ka marrëdhënie të tensionuara me fqinjët e saj jo të qendrueshëm, duke ndarë kufirin jo vetëm me Sirinë, ku është edhe vatra e Shtetit Islamik, por edhe me Irakun, ku grupimi islamik ka marrë dhjetra pengje turke. Shteti Islamik ka mbajtur peng rreth 46 qytetarë turq, përfshi edhe diplomat që ka rrëmbyer nga ambasada turke në Mosul gjatë një sulmi në muajin qershor.Turqia gjithashtu po has vështirësi që të përballojë fluksin më të madh të refugjatëve sirianë pas Libisë, ku sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara gjenden rreth 840 000 persona. Një çështje e rëndësishme që do të diskutohet mes Hejgëllit dhe autoriteve turke është edhe përpjekja për të ndaluar depërtimin e militantëve të huaj nga Turqia për t'iu bashkuar Shtetit Islamik.Zyrtarët nuk pranuan të pronocohen se çfarë do t'I kërkohet specifikisht Turqisë, por pritet që detyrat e saj të jenë furnizimi i forcave të koalicionit me armatime, karburant dhe ofrimi i pistave të avionëve për nisjen e sulmeve.