Ja cilat janë sfidat e presidentit Barack Obama

Mandati i dytë paraqet shanse të mëdha për Presidentin Barak Obama, por edhe sfida  përsa i përket çështjeve të brendshme ashtu edhe në lidhje me politikat e jashtme.Krijimi i vendeve të punës dhe nxitja e rritjes ekonomike do të vazhdojnë të jenë objektivat kryesorë brenda vendit për Presidentin Obama gjatë mandatit të tij të dytë. Por gjasat janë që ai të mos gjejë bashkëpunimin që do të dëshironte nga opozita republikane.Për një nga çështjet kryesore, rritja e tavanit të borxhit të vendit Obama po qëndron i palëkundur. I nxitur nga masakra e muajit të kaluar të 26 fëmijëve dhe mësuesve në një shkollë të shtetit Konektikat, programi i mandatit të dytë i presidentit Obama përfshin legjislacion mbi armët.Shoqata Kombëtare e Armëve po e kundërshton ashpër presidentin lidhur me propozimin e masave të reja për kontrollin e armëve.Por Obama është i vendosur të realizojë edhe reformën e imigracionit, një objektiv i papërfunduar gjatë mandatit të parë.  Sa i përket çështjeve të jashtme, Presidenti Obama do të mbikqyrë tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, e planifikuar për vitin 2014.Programi bërthamor i Iranit dhe veprimet e mundshme të ushtrisë izraelite mund të kërkojnë vendime kritike, ashtu si dhe konflikti i dhunshëm në Siri.Analistët presin që  Obama të jetë i kujdesshëm në rastet e dërgimit të aseteve ushtarake amerikane jashtë vendit, duke u mbështetur më tepër tek partnerët ndërkombëtarë.Analistët thonë se përvoja në politikën e jashtme e Presidentit mund ta ndihmojë atë në marrëdhëniet kyçe me homologët e tij të huaj, duke përfshirë udhëheqësin e ri të Kinës, Xi Jinping, dhe presidentin rus Vladimir Putin.