Në 300 ditë, më pak konsum, më pak investim, më pak kursim

Argumenti i parë ka të bëjë me analizën e ekonomisë në tërësi bazuar në Prodhimin e Brendshëm Bruto, në statistikat e publikuara. Situata ekonomike e qytetarëve dhe bizneseve, përbën aspektin më të dukshëm dhe më diskretitues në dështimin e mazhorancës aktuale në 300 ditët e para. Fushata e shfrenuar, denigruese dhe nxirëse për ekonominë e vendit, mohimi dhe përbaltja e reformave dhe politikave të ndërmarra më përpara, paniku i dukshëm në menaxhimin e shpejtë dhe në kushtet e një mungese të programit dhe angazhimi adekuat i shoqëruar me bllokimin e reformave strukturore dhe një politike takash për tregun, janë gjithçka ka bërë kjo qeveri në 300 ditët e para të qeverisjes së saj.Më herët, ekonomia shqiptare sipas grafikut të publikuar pak kohë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe konkluzioneve që i bëhen atij, vihet re se Shqipëria gjatë kohës së krizës ka patur një rritje mbi mesataren e rajonit dhe ka qëndruar në terren pozitiv pa rënë në recesion, por që ka humbur në mënyrë graduale ritmet e rritjes për shkak të zgjatjes së presioneve të krizës globale. E gjithë kjo është mundësuar përmes një pakete të reformave strukturore që paraprinë krizën ekonomike globale. Edhe stimujt fiskalë të përdorur në mënyrë racionale në momentet e goditjes së krizës, si edhe politikat fiskale të ndërmarra në vitin 2013 në tremujorin e parë synonin pikërisht që të mbanin gjallë  interesin dhe zhvillimin e ekonomisë.Për të parë me detaje atë çfarë po ndodh me ekonominë e vendit në 300 ditët e qeverisjes së koalicionit të majtë, kemi marrë në shqyrtim Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas deklarimeve më të fundit të pak ditëve më parë të bërë nga INSTAT për vitin e kaluar dhe për tremujorin e parë të këtij viti. Grafiku tregon rritjen në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas tremujorit përgjatë vitit 2013, në fillim dhe në tërësi. Qeveria deklaron se tremujori i parë i vitit 2014  ka pasur një rritje prej 1.65% të Prodhimit të Brendshëm Bruto krahasuar me të njëjtën tremujor të një viti më parë dhe po ashtu se ka ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së tij, e cila konsiston në përllogaritjen mbi bazën e vlerës së shtuar bruto me çmime konstante të vitit 2010. Me këtë publikim të INSTAT, rezulton se rritja ekonomike për vitin 2013 sipas kësaj metodike nuk është më 0.4 sa ç’është deklaruar, por sikurse shikohet është 1.42% dhe rritja për dy tremujorët e parë të vitit të kaluar nuk është sa ç’kanë qenë deklaruar, por respektivisht  2.04% dhe 3.64%, pra janë vlera më të larta nga sa janë raportuar. Nuk është vendi këtu për të diskutuar për nevojën e ndryshimit metodologjik, por një gjë është e sigurtë se krahasimi në kohë i këtij treguesi nuk ka kuptim dhe ky tregues nga një strumbullar i statistikave ekonomike po kthehet në një fetish të ekonomisë politike të vendit. Dhe alibia e parë nuk vonon. Vlera e shtuar bruto e tremujorit të parë  e vitit 2014 vlerësuar me çmimet korrente është më e vogël se ajo e vitit të tremujorit të parë të 2013. Pra deflatori i përgjithshëm i ekonomisë, jo i një dege të ekonomisë, por i ekonomisë në tërësi, është negativ. Kjo duhet të ishte një sirenë alarmi për qeverinë dhe jo një tam tam suksesi siç po deklarohet në 300 ditët e para të qeverisjes aktuale.Qëllimi ynë në këtë prezantim nuk është të bëjmë një oponencë shifrash, apo të ballafaqojmë treguesit e deklaruar nga qeveria me treguesit e llogaritur nga qendra studimore opozitare, por do të synojmë që përmes një analize sistemike krahasuese përveç statistikave zyrtare të mund të evidentojmë zhvillimin real të ekonomisë. Së pari, ne duhet të shohim se çfarë kontributi po japin degët kryesore të ekonomisë. Siç shihet në këtë grafik ndërtimet dhe transporti janë me një rënie të thellë me -5.3 dhe -25% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013 dhe në rënie janë të gjithë treguesit e tjetër krahasuar me degët e tjera në raport me tremujorin e katërt të vitit 2013 ku i shtohen industria, bujqësia, tregtia dhe hotelet dhe restorantet. E vetmja degë e ekonomisë që justifikon rritjen e pretenduar kjo nga ana e qeverisë për tremujorin e parë të 2014 në raport me tremujorin e parë të 2013, është industria nxjerrëse, e cila në tremujorin e katërt sigurisht që është në rënie. Mos vallë është prodhuar më pak energji që ka ndodhur ky fenomen? E vetmja degë e ekonomisë pra e industrisë mund të kondicionohet nga kushtet atmosferike? Jo, energji është prodhuar më shumë. Grafiku i prodhuar nga INSTAT tregon se është vetëm industria nxjerrëse që ka dominuar rritjen. Industria përpunuese, manifakturat kanë rënie të prodhimit dhe po kështu edhe industritë e tjera krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me tremujorin e fundit të vitit 2013.Janë rreth 5 mijë të punësuar më pak në këtë degë të ekonomisë krahasuar me një vit më parë. Rritja e pretenduar nga qeveria, edhe nëse është e vërtetë është një rritje e sëmurë, pasi kjo bëhet në kurriz të shterimit të pasurive kombëtare, është rastësore dhe e përkohshme nëse nuk ecën në mënyrë harmonike me sektorë të tjerë të industrisë dhe degëve të tjera të ekonomisë.Për të shfaqur dukshëm ecurinë e prodhimit të ekonomisë sonë përgjatë 300 ditëve të para të qeverisjes Rama-Meta le t’i drejtohemi përdorimit të prodhimit sipas statistikave zyrtare.Konsumi përbën mbi dy të tretat e Prodhimit të Brendshëm Bruto në ekonominë tonë, dhe konstatohet fare lehtë nga INSTAT se rritja e konsumit është më e dobëta e pesë tremujorëve të fundit të vitit 2013 përfshirë dhe tremujorin e parë të 2014. Konsumi në pjesën e hidrokarbureve është në nivelin më të ulët historik të 15 viteve të fundit. Rama gënjeu në deklarimin e tij publik për 300 ditët e para kur tha se kemi rritur konsumin dhe mirëqenien për mbi 90% të shqiptarëve. Me vendosjen e taksës progresive, tregtia e ushqimeve, e cila konsumohet prej kësaj shtrese është me një rritje zero krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe me rënie absolute krahasuar me periudhën analoge të një viti më parë.Konsumi publik, apo shpenzimet e buxhetit të shtetit janë rreth 80 milion dollarë më pak në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe për më tepër investimet publike janë rreth 160 milion dollarë më pak, të cilat përbëjnë pjesën më nxitëse për ekonominë në konsumet publike. Tjetër drejtim i Prodhimit të Brendshëm Bruto janë investimet në ekonomi. Edhe gjatë krizës globale rreth një e treta e PBB-së është investuar në ekonomi dhe kjo ka qenë garancia më e madhe e performancës pozitive e ekonomisë sonë dhe tregues i entuziazmit të brendshëm të kësaj ekonomie. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013 investimet thuajse u bllokuan. Qeveria deklaroi rishimimin e kontratave koncesionare, anulloi dhe një pjesë të tyre dhe krejt papritur del menjëherë taksa mbi korporatën. Rënia e pjesës mbi PBB-në që investohet në ekonomi me rreth një të pestën e PBB-së sot përbën kompromentimin më të dukshëm të së nesërmes së ekonomisë sonë.Investimet publike vijojnë të mbeten të bllokuara dhe megjithëse qeveria shtiret përditë se po shlyen borxhe ndaj kompanive, vetëm si gjashtëmujor ka paguar 160 milion dollarë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.Financimi i investimeve të huaja që do të ishte një burim për rritjen ekonomike, është rreth 60 milion dollarë më pak edhe financimi nga kreditë e huaja.Në 300 ditët e para të qeverisë Rama-Meta kemi konsumuar më pak, kemi investuar më pak dhe si rregull duhej t’i binte që ne kemi kursyer më shumë. Në këtë grafik të Bankës së Shqipërisë thotë që rritja e depozitave, pra e kursimeve është vetëm 0.5%. Pra është niveli më i ulët historik si trend, përveç ngjarjes së tërheqjes së depozitave në momente të caktuara. Dhe kjo është një tendencë e konsoliduar që karakterizon gjendjen e ekonomisë dhe kapacitetin e saj për të mundësuar kursime. Pra në këtë drejtim, as kursimet nuk janë rritur. Atëherë ku po shkon Prodhimi I Brendshëm Bruto që qeveria e deklaron të rritur?Banka e Shqipërisë, sipas të dhënave të Doganave, ofron krahasimin e mëposhtëm. Defiçiti tregtar i vendit me çdo muaj është rritur në krahasim me katër muajt e parë të vitit të kaluar. Pra defiçiti tregtar jo vetëm që është negativ, por negativiteti vijon që të thellohet. Është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një shtesë prodhimi, pasi që të kemi shtesë prodhimi duhet që të kemi dhe shtesë burimi që financojnë ekonominë.Për të përmbyllur analizën tonë bazuar dhe në statistikat zyrtare le të shohim se si dhe sa qeveria ka mobilizuar këto burime financiare shtesë të nevojshme për të financuar rritjen ekonomike në ekonominë e saj.Fitimi i kompanive që përbën burimin kryesor të financimit të zgjerimit të ekonomisë në këtë gjashtëmujor të parë të këtij viti është 100 milion dollarë më pak në krahasim me një vit më parë. Dhe po të kemi parasysh se taksa që merr shteti mbi këto korporata është rritur me 50%. Kapaciteti për të vetëfinancuar një rritje më të madhe se një vit më parë është edhe më i vogël.Kredia për ekonominë vjen e dyta për nga rëndësia. Fatkeqësisht Banka e Shqipërisë thotë se për çudi që nga shtatori i vitit të kaluar, kredia për ekonominë pakësohet në mënyrë progresive me çdo muaj, pra rritja e saj është negative. Për më tepër të dhënat e BSH përmes grafikut që ju shikoni, flasin për një rritje më të madhe të depozitave krahasuar me kreditimin që ka ekonomia dhe se në fund të muajit prill sipas statistikave, vetëm afro 57% të depozitave janë dhënë kredi. Pra është niveli më i ulët historik. Ndërkohë niveli i kredive të këqija vijon të rritet. Niveli i kreditimit ka rënë në të gjitha degët e ekonomisë shqiptare sikurse e deklaron ky grafik. Grafiku tregon një rënie të kredive nga janari e deri në fund të muajit të këtij viti. Sipas degëve janë rreth 20 milion dollarë të financuara më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me rënie janë edhe dërgesat e emigrantëve në krahasim me një vit më parë dhe për më tepër me rënie janë edhe investimet e huaja direkte. Investimet e huaja direkte pritet që të jenë sa gjysma e një viti më parë, që për hir të së vërtetës vetëm gjatë gjysmës së parë të 2013, investimet e huaja direkte kanë dhënë një kontribut të çmuar me rreth 700 milion euro. Janë investime që kanë ardhur për të nxitur rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.Pra të gjitha burimet financiare nga financohet rritja e PBB-së janë më të pakta krahasuar me një vit më parë. Rama ka shpikur një rritje ekonomike që nuk ka nevojë për financime. 200-300 milion euro që dëgjojmë çdo ditë në këmbim për marrëveshjen me FMN-në  dhe BB-në, shumë të rëndësishme këto për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit në këtë vit kur balancat vazhdojnë të dëmtohen, por që nuk rezultojnë deri më sot të dobishme për të financuar rritjen e mëtejshme të ekonomisë. Pra të gjitha këto do të ishin të efektshme nëse kursimet e brendshme do të investoheshin në ekonomi. Nëse  zëvendësojmë kreditë e huaja me pakësim të përdorimit të kursimeve të brendshme nuk bëjmë asnjë gjë tjetër veçse mbetemi në të njëjtin vend. Unë rendita disa prej konkluzioneve dhe secili prej jush mund t’i shohë. Janë konluzione lidhur me atë çfarë po ndodh në ekonominë shqiptare dhe zhvillimet e saj në tërësi.Fjala e mbajtur në Tryezën e Ekspertëve "300 dështim ne ekonomi)ar.sh/Oranews.tv