Diploma fiktive, Nikolla: Rishikim liçencave të disa shkollave të mesme part-time

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka deklaruar se do të rishikohen liçencat e disa prej shkollave të mesme private të cilat rezultojnë të jenë fiktive, qoftë nga cilësia, por edhe nga pjesëmarrja e nxënësve në mësim, që sipas saj janë pajisur edhe me diploma.Në Komisionin e Medias, Nikolla ka deklaruar se inspektimet ndaj këtyre shkollave kanë qenë inekzistente, përsa i përket nxjerrjes së të vërtetës.“Në totalin e maturës shtetërore kemi shënuar kalueshmëri prej 67 për qind dhe 33 për qind mbetje. Janë përgjithësisht shkolla të liçencuara private part time, shkolla që rezultojnë të jenë fiktive në kuptimin e cilësisë së punës por dhe pjesëmarrjes së nxënësve në mësim. Inspektimet ndaj tyre në vitet e fundit kanë qenë inekzistente në kuptimin e nxjerrjes së të vërtetave. Ne jemi të vendosur që këto realitete t’i ndryshojmë duke ndërhyrë, duke parë edhe licencat e këtyre shkollave”, deklaroi Nikolla.Gjithashtu Nikolla është ndalur edhe te provimi i kualifikimit të mësuesve ku 30% e mësuesve nuk e kanë kaluar këtë provim dhe sipas saj kualifikimi që do të bëhët tani do të jetë ndryshe.“Kemi shifrat mbi 30 për qind e mësuesve nuk kaluan dot provimin. Kryefjala jonë mbetet kualifikimi i një lloji të ri, jo si ai që ka qenë deri më sot, që kishte promovuar njerëz dhe këshilltarë të ish-kryeministrit”, tha Nikolla.