Basha, 1 vit kryetar i PD

Më 23 korrik u mbush 1 vit nga zgjedhja e Luzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.I futur në histori tashmë si kryetari i 5-të i saj pas Azem Hajdarit, Sali Berishës, Eduard Selamit, Tritan Shehut, tejet ndryshe nga 3 të tjerët që nuk lanë gjurmë, Lulzim Basha ka nisur epokën e tij. Një epokë për të cilën të shumtë janë ata që nuk janë dakort. Kështu ishin edhe atë 23 korrik të vitit 2013 kur Basha mori 33.220 vota nga 41.532 votues, anëtarë të PD. Por sot pas 12 muajve numri i këtyre kundërshtarëve në PD është rrudhur ndjeshëm. Me rregullin e artë se koha punon për Bashën, edhe ata që besonin te procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri por nuk besonin te Luzim Basha, jo thjesht kanë ulur tonet, por në vetvete kanë nisur të krijojnë bindjen se karriera e tyre politike nuk është më në dorën e procesit, por të vetë Luzim Bashës.1. Bilanci i parë pozitiv i BashësAi më i rëndësishmi është se me Lulzim Bashën, Shqipëria tashmë e ka realizuar ndërrimin e plotë të lidershipit të saj politik. Vendin e Fatos Nanos, Sali Berishës, Sabri Godos, Servet Pëllumbit, Pjetër Arbnorit e kanë zënë Edi Rama, Ilir Meta, Bujar Nishani e Lulzim Basha. Ajo që për shumë e shumë vjet, me dëshirë apo jo, me injeksione të huaja apo jo, është realizuar. Shqipëria ka një brez të ri politikanësh pa asnjë lidhje me diktaturën sepse ditën kur vdiq Enver Hoxha ishin ose minorenë ose shumë të rinj. Ka një rastësi me të katër politikanët e brezit të ri. Edhe pse modestisht, në një formë apo tjetër, në dhjetor të vitit 1990, si Rama, Meta, Basha e Nishani ishin të angazhuar në lëvizjen që solli rrëzimin e sitemit komunist. Rrjedhimit jo vetëm që nuk kanë ngarkesa nga komunizmi por të vetme akuzë që mund ti bësh është që mund të kenë recituar në kopësht ndonjë vjershë për Enver Hoxhën. Kjo u sjell të katërve një mentalitet tejet të ri, shumë ndryshe nga çfarë jemi mësuar në këto vite. Por më shumë se kaq, një mendësi të re të të bërit politikë, sidomos politikanë e pranimit të tjetrit aq shumë të munguar që nga viti 1990.2. PD-ja e BashësNë një vit si kryetar, vërtetë nuk mund të thuash se Lulzim Basha ka tashmë partinë e tij. Nuk mund të themi se PD aktuale është e Bashës. Duhet të kuptohemi duket anakronike fraza “PD-ja e Bashës”, por në Shqipëri kultura e kryetarit ka rrënjë të thella dhe të thuash se një parti funksionon pa kryetarin nuk vlen dhe ky rregull ka për të vijuar për aq kohë se rregullat e lojës politike janë këto. Fundja çfarë është PS-ja aktuale pa Edi Ramën? Çfarë është LSI pa Ilir Metën? Por në realitet e kujt është PD nga 23 korriku 2013 deri në 23 korrik 2014? Nuk mund të thuash me plot gojën se është PD-ja e Bashës. Për shumë e shumë arsye. Por ama nuk mund të thuash se është e dikujt tjetër. Vazhdon të jetë e Berishës mund të thotë dikush. Dhe të tjerë që do ta kundërshtojnë. Pra, nëse ka një betejë që Basha duhet ta fitojë është që ai të krijojë lidershipin e ri të PD, atë lidership me koncept modern që do të thotë bashkëpunëtorë cilësorë dhe me vlera në PD.3. Basha e fitoi betejën me kundërshtarët në PDLulzim Basha ashtu urtë, butë, me taktikë në një farë mënyre e ka fituar betejën me ata që quheshin kundërshtarë në PD. Jozefina Topalli është një nga këta kundërshtarë. Përveç ndonjë deklarate parimore apo ndonjë deklarate të tipit ‘Përse kështu i bën mitingjet PD”, nuk është parë e dëgjuar të sulmojë Bashën publikisht. Dikush mund të thotë se po pret zgjedhjet lokale që Basha të humbasë dhe t’i kërkojë dorëheqjen. Mund të jetë edhe kështu, por edhe në rast të një humbje të PD në zgjedhje lokale, koha do jetë në favorin e Bashës. Në atë kohë Basha do të ketë dy vjet kryetar i PD dhe numri i mbështetësve të tij do jetë shumë herë më i madh, strukturat e partisë do jenë shumë herë më solide. Rjedhimisht edhe pozita e tij do jetë shumë herë më e fortë. Dhe për më tepër që parimisht për një mijë e një arsye nuk mund të quhet Basha fajtori i një humbje të mundshme.4. Armiqtë e vërtetë të BashësNë fakt armiqtë më realë të Bashës nuk duken tek ata që quhen senatorë apo senatore. Personalisht jam i mendimit se çfarëdo pikëpamje dhe kritikash të ketë ato që thotë zonja Topalli për Bashën, janë shumë herë më të sinqerta, më dobiprurëse dhe më me vlerë ndaj tij se sa grupi i ri i servilëve që po i qepen kryetarit si bletët koshereve. Duhet thënë se rreth tij Basha ka grumbulluar njerëz të rinj që bashkëpunojnë dhe kanë dhënë një frymë të re në PD. Të specializuar në fusha të ndryshme kontributi i tyre është plot fryte edhe pse ka kaluar pak kohë.Por krahas tyre rreth Bashës kanë vrapuar të jenë edhe ata në listën e të preferuarve të kryetarit edhe ndonjë i ri apo e re që taletin e vetëm kanë ose centimetrat e lartë të takave, ose të qenit partizan i tepruar ndaj kundërshtarit për të treguar çfarë sakrifice po bën për Bashën dhe që nesër kur të jetë në pushtet këtë të mirë mos tia harrojë kurrë. Ndonëse i ri në politikë dhe në krye të PD Basha duhet të kuptojë një herë e mirë nga përvoja e paraardhësit të vet por edhe nga përvoja e liderëve të jerë si Rama, Meta që servilët janë specia më e dëmshme në këtë botë. A nuk e kanë dëmtuar më shumë gjatë karrierës së tyre Ramën, Metën pikërisht servilët që në momente delikate të tyre jo vetëm i kanë kthyer krahët por kanë qenë ata akuzatorët verbalë të shefit të tyre?5. Si ka qëndruar Basha kundrejt RamësNjë nga problemet e Edi Ramës pasi mori detyrën e kryetarit të PS në vitin 2005 ishte se si do ishte raporti i tij me Berishën. Nga njëra anë kishim një kryeministër me 15 vjet përvojë e karrierë dhe nga ana tjetër një Edi Rama rishtar si kryetar i PS. Të gjithë thamë njëzëri në media se arritja më e madhe e Ramës ishte kur pas refuzimeve të njëpanjëshme deri në lodhje e deri tek takime me Fatos Nanon, Berisha në një ditë të bukur vendosi të bisedojë me Ramën.Në një farë mënyre ky ishte pranimi nominal i kundërshtarit. Në situatën me Bashën punët janë ndryshe. Basha ka avantazhin që Rama e ka shumë herë të lehtë të pranojë Bashën, ndërkohë që problem për të është Berisha. Është Rama ai që mezi pret që çdo marrëveshje dhe pranim ta ketë ndaj Bashës. Por një gjë e tillë tani për tani zor se mund të ndodhë. Afërmendsh, ajo do ndodhë atë ditë kur të gjithë të jemi të bindur se PD-ja do të jetë e Lulzim Bashës dhe deri atë ditë duhet të kalojë jo pak kohë.6. Kryetari Basha me Berishën aty pranëLuzim Basha është një prodhim ekskluziv i Sali Berishës. Këtë nuk mund ta mohojë kush. Ashtu siç nuk mund të mohojë kush që askush në PD nuk ka ka bërë karrierë në nivel të lartë pa bekimin e Berishës. Por në momentin që Berisha dha dorëheqjen ishin jo të paktë ata që thanë se barra e humbjes por edhe gjithçkaje tjetër në PD do t’i bjerë Bashës. Por ne të gjithë e kemi parë dhe kemi qenë dëshmitarë që kur Berisha niste operacionin e tij të fjalimeve në kuvend të gjithë kemi bërë një pyetje: Kur dëgjojmë Berishën të marrë me radhë një e nga një anëtarët e qeverisë dhe të vërë në siklet ata dhe kryeministrin Rama, a e mendojmë se PD ka për kryetar Luzim Bashën? Çfarëdo justifikimi të ketë në këtë mes, problemi është kardinal. Në pamje të parë duket se operacionet e Berishës në kuvend i bëjnë mirë PD, e motivojnë atë e bëjnë të zgjohet dhe e mbledh më shumë bazën e trembur. Por ama dëmi më i madh që i bëhet PD është tek përgjigja e pyetjes: Rreth kujt duhet të mblidhet PD rreth Berishës apo Bashës? Dhe ky dëm i bëhet kryetarit të ri Lulzim Basha dhe organizimit që ai po i bën PD dhe më shumë të ardhmes së PD. Basha është politikan dhe lider i ri dhe ai ka nevojë për mbështetje dhe këshilla por kur portagonizmi i Berishës kalon caqet, ai padyshim bëhet i dëmshëm për figurën e tij. Më shumë se një herë Berisha ka folur për gazetarët sapo ka dalë nga seancat e kuvendit duke deklaruar se grupi i PD do të dalë nga parlamenti. Dhe Bashës pas disa orësh i është dashur të bëjë deklaratë sipas të cilës grupi parlamentar vendosi të dalë nga parlamenti. A mund të ndodhte që grupi parlamentar i PD të merrte vendim të mos dilte nga parlamenti? Pikërisht ky është një problem jo i vogël në mënyrën e funksionimit të PD. Madje informacioni më i fundit që qarkullon në PD është që një grup brenda kësaj partie po i kërkon Berishës të kthehet në krye të PD në formën e presidentit të nderit. Nëse do ndodhte kjo do ishte dëmi më i madh që do i bëhej PD që nga humbja në zgjedhjet e 2013. Pikërisht ajo punë e ngritur me aq mund deri më tani do ishte një kthim prapa. Nuk mund të vihen në diskutim vlerat e Berishës si lider i PD dhe e politikanit më të rëndësishëm që nga viti 1990 deri më sot në Shqipëri. Por duhet të themi se Berisha e bëri epokën e tij. Në këto 24 vjet asnjë vendim politik i rëndësishëm, në çfarëdo rrethane, në pushtet apo opozitë, nuk është marrë pa bekimin e Berishës. Tashmë në PD është era e re, era e Bashës dhe e të rinjve rreth tij. Duke kujtuar se vetë Berisha ka thënë sapo Basha u zgjodh kryetar i PD se ai është histori suksesi, po vetë Berisha duhet ta kuptojë se kjo histori suksesi është njëkohësisht edhe politika aktuale e gjeneratës tjetër.