Emërimet e Obamës,Hagel Sekretar i Mbrojtjes, Brennan drejtor i CIA-s

Presidenti amerikan Barack Obama ka emëruar këshilltarin anti-terrorizmit John Brennan të drejtojë Agjencinë Qëndrore të Zbulimit.Obama vlerësoi zotin Brennan për drejtimin e përpjekjeve kundër al-Qaidës që kanë sjellë eleminimin nga fusha e betejës të udhëheqësve të organizatës terroriste.Presidenti tha se zoti Brennan ka qënë i angazhuar në luftën kundër terrorit ndërsa ka mbrojtur “vlerat tona si amerikanë”.Brennan ka një histori të gjatë me CIA-n, ku ai ka shërbyer si shefi i agjencisë në Arabinë Saudite.Senati amerikan duhet ta konfirmojë tani emërimin e tij. Nëse miratohet, ai do të pasojë ish-shefin e CIA-s David Petraeus, i cili dha dorëheqjen në nëntor pasi një hetim federal i zbuloi atij një lidhje jashtëmartesore.Ndërkaq Senatori John Kerry, që do të zëvendësojë Hillary Clinton në krye të Departamentit të Shtetit dhe  Chuck Hagel me shumë gjasa Sekretar i Mbrojtjes pritet të jenë 2 emrat  e tjerë në postet kyçe të sigurisë së SHBA-së që do të shoqërojnë presidentin Obama në mandatin e tij të dytë.Senatori republikan, Chuck Hagel, një veteran i luftës në Vietnam do të jetë Sekretari i ardhshëm i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara duke zëvendësuar kreun aktual të këtij Departamenti, Leon Panetta.Zërat për një emërim të tij në krye të mbrojtjes amerikane kanë përçarë republikanët. Disa prej tyre, kritikojnë këtë zgjedhje të administratës Obama duke e lidhur atë me qendrimet e Hagel, senator i dalë nga Nebraska, karshi Izraelit. Ai kritikohet për “qendrim” armiqësor ndaj Izraelit dhe “të butë” ndaj Iranit.Hagel është shprehur kundër ndërhyrjes ushtarake në Iran dhe mbron idenë e përfshirjes së Teheranit në bisedimet për paqen në Afganistan.