Sezoni turistik, taksë 100 lekë për çdo automjet që hyn në Ksamil, banorët kundër
Çdo turist që vendos të kalojë pushimet në Ksamil duhet t’i paguajë një detyrim prej 100 lekësh komunës për parkimin e automjetit. Para këtij fakti e kanë gjetur veten turistë dhe banorë, ndërsa punonjësit e Komunës së Ksamilit kanë vendosur traun, ku duhej të mblidhej kjo taksë.Duke e konsideruar të padrejtë vendimin, banorët e 6 zonave pranë rrugës që lidh qytezën me detin kanë protestuar e madje është dashur dhe ndërhyrja e policisë.Vendimi që mbanin në duar punonjësit e komunës ishte firmosur nga kryetari Besnik Abedini, i cili pretendon se ka marrë konsensusin e këshillit komunal dhe miratim nga Prefektura. Por Kryetari i këshillit të komunës,Përparim Ahmeti, e mohon një gjë të tillë."Është absolutisht e pavërtetë që këshilli ka marrë një vendim të tillë për të vendosur trarë. Me ndihmën e këshillit doja të vijë një projekt vendim nga njësia përkatëse siç është zyra e tatim taksave dhe pasi kalon në këshill miratohet ose jo dhe nëse miratohet shkon në Prefekturë s'ka absolutisht një projektvendim të tillë që të jetë miratuar në këshill", tha Ahmeti.Ndërkaq nënprefekti Ilir Hysi pohon se është dorëzuar një kërkesë e tillë nga kjo njësi vendore, por është refuzuar pasi nuk kishte bazë ligjore.Ndërkohë, e njëjta situatë po ndodh edhe në zonën e Divjakës, ku po aplikohet një taksë për të gjithë mjetet që vijnë për turizëm në këtë zonë.