Zgjedhjet në Kosovë, PDK, fituesja por Thaçi e ka të vështirë qeverisjen

Prishtine-Partia Demokratike e Hashim Thaçit është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Pas numërimit të 2374 kutive të votimit PDK e Thaçit ka fituar 30.91%; Lidhja Demokratike e Kosovës radhitet forcë e dytë me 25.83% të votave.Ndryshe nga sa pritej, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 13.57% ose mbi 93 mijë vota, duke siguruar 20 deputetë në parlamentin e ri të Kosovës,nga 14 që kishte në legjislacionin e shkuar.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndërkohë radhitet në vendin e katërt me 9.53% ose e thënë ndryshe ka fituar mbi 66 mijë vota.Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt ka marrë 5.29%, ndërsa zhgënjimi i këtyre zgjedhjeve ishte AKR e Behgjet Pacollit, e cila nuk arriti të sigurojë pragun zgjedhor prej 5 për qind, duke siguruar vetëm 4.68% të votave.Partia e Pacollit, përfundimisht mbetet jashtë parlamentit. Tashmë mbetet vetëm certifikimi i rezultatit të këtyre zgjedhjeve, ku morën pjesë 43.16% e popullësisë së Kosovës, ku për herë të parë morën pjesë në votime edhe serbët e veriut.Pavarësisht rezultatit në zgjedhje partitë politike nga radhët e komunitetit serb do të kenë dhjetë vende të garantuara në parlamentin e Kosovës, ashtu si edhe partitë e pakicave të tjera etnike jo shqiptare.Por përkundër fitores së arritur, Thaçi do ta ketë të vështirë të qeverisë. Agjensia e Lajmeve Reuters shkruan:“Thaçi ka mundësi të formojë një koalicion qeverisës me partitë më të vogla dhe serbët etnikë për të siguruar edhe një mandat katër vjecar në pushtet, por varësia e tij ndaj të tjerëve mund ta dëmtojë aftësinë e tij për të qeverisur në mënyrë efektive”VV deri tani e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK e Thacit, ndërsa përmes një konference për shtyp njoftoi dyfishim të numrit të deputetëve në Kuvend.Procesi është uruar nga edhe liderët e politikës shqiptare, por edhe ndërkombëtarët e akredituar në Prishtinë.Ambasadorja amerikane në Kosovë, Trejsi Jakobson, ka përshëndetur procesin zgjedhor, të cilin e ka konsideruar një proces në përputhje me standardet ndërkombëtare.Ajo tha se SHBA pret bashkëpunim me qeverinë e re në çështjet kyçe, të cilat do të ndihmojnë në avancimin e aspiratave Euro-Atlantike të Kosovës.Jakobson ka vlerësuar gjithashtu punën e OSBE, EULEX dhe KFOR të cilët siguruan që secili qytetar të mund të votojë në zgjedhjet e sigurta.Kryeministri, Edi Rama, ka uruar kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, për fitoren e shënuar në zgjedhjet e 8 qershorit. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama i ka uruar suksese të gjithë anëtarëve të Parlamentit të ri të Kosovës.Ndërkohe edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë përgëzon faktin se për herë të parë i gjithë populli i Kosovës mori pjesë në votime dhe se karakteri gjithëpërfshirës i këtyre zgjedhjeve ishte i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e të ardhmen e vendit, dhe vendimtar për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.Përparimi në rrugën drejt BE, ulja e papunësisë dhe liberalizimi i vizave janë sfidat e qeverisë së re Kosovare, e cila tashmë do të përballet edhe me sfidën e punës së gjykatës së posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Zgjedhjet në Kosovë, çfarë ndodhi minutë hap pas minute të dielën e 8 qershorit