Zgjedhjet presidenciale në Egjipt, Al Sisi drejt fitores së sigurtë
Ish-shefi i ushtrisë Abdul Fattah al-Sisi po i drejtohet një fitoreje të madhe në zgjedhjet presidenciale në Egjipt. Ai ka marrë 96% të votave pas numërimit në shumicën e qendrave të votimit.Pjesëmarrja në votime është më e ulët se 45%, shumë grupe kanë bojkotuar votimet.Ish-shefi i ushtrisë, Abdul Fattah al-Sisi, i cili rrëzoi nga pushteti presidentin islamik Mohammed Morsi, vitin e kaluar garoi përballë kandidatit të krahut të majtë, Hamdeen Sabahi.Ai drejtoi një spastrim të përgjakshëm të “vëllazërisë muslimane”, ku mbi 1400 persona janë vrarë dhe mbi 16.000 të tjerë janë ndaluar."Vëllazëria muslimane" tha se do të bojkotojë votimin, ashtu si edhe shumë grupe të tjera liberale dhe laike.Hamdeen Sabahi, kandidati tjetër, tha se janë konstatuar shkelje gjatë procesit të votimit. Megjithatë ai hodhi poshtë kërkesat nga mbështetësit e tij që të tërhiqet nga gara, duke thënë se nuk ishte në interes të popullit. Ai tha se ka siguruar vetëm 760 mijë vota në të gjithë vendin por pranoi se ka humbur në shumë rajone.Autoritetet ushtarake shtynë procesin e votimit edhe për një ditë të tretë, me shpresën për një pjesëmarrje më të madhe, por raportohet se gjatë së mërkurës qendrat e votimit ishin thuajse të zbrazura.Tashmë në rrugët e Kairos ka nisur festa nga mbështetësit e Al Sisit, duke valëvitur flamujt e duke lëshuar fishekzjarre. Pritet që sipas rezultateve përfundimtare, ish shefi i ushtrisë të fitojë bindshëm votat e 40 milionë votuesve nga 54 milionë gjithsej në të gjithë vendin, duke treguar kështu se gëzon një mbështetje të gjërë në popull.