Noka: Kompetencat e Nishanit po i merr “Bir Sulltan Edvin Ramajev”

Tirane-Komisioni parlamentar i sigurise dhe i ligjeve nisën shqyrtimin e tre drafteve të Ministrisë së Mbrojtjes për Forcat e Armatosura.Ministrja, Mimi Kodheli, e shoqëruar dhe nga shefi i Shtabit, Jorenim Baze, prezantuan ligjin për karrierën ushtarake.Por nënkryetari demokrat i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, duke i paraprirë dhe dy ligjeve të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes tha se opozita është kundër marrjes se kompetencave të Presidentit.Noka: Me këtë ligj si edhe dy ligje të tjera që do vijnë në diskutim në ditët në vazhdim , kjo mazhorancë kërkon të grabisë ditën për diell kompetencat e Presidentit. Të gjitha kompetencat e tjera, qoftë për gradat, për lirimet dhe emërimet, qoftë edhe për planin e përhapjes dhe pronat e Forcave të Armatosura, i kalojnë sulltit që quhet bir sulltan Edvin Ramajev. Nëpërmjet këtij projekti ligji kjo mazhorancë kërkon të ktheje institucionin e e Presidentit të Republikës në një institucion siç ishte në kohën e Haxhi Lleshit. Unë e kuptoj nostalgjinë, por jemi në demokraci dhe kjo në demokraci nuk mund të pranohet dhe tolerohet, pavarësisht nostalgjikëve në pushtet, ndaj jemi plotësisht kundër".Ministrja Kodheli shfrytëzoi Komisionin e Ligjeve, për t’ju përgjigjur akuzave të opozitës, por dhe Presidentit përsa i përket kompetencave jo vetëm për karrierën ushtarake, por dhe për drejtimin dhe komandimin e forcave ushtarake.Sipas Kodhelit, Presidentit nuk i cënohet asnjë kompetencë e garantuar nga Kushtetuta.Kodheli: Me ligjin e ri për Forcat e Armatosura, ushtarakët do të dalin në një moshë më të madhe në rezervë si dhe do të lirohen më vonë. Zgjatja në kohë e ushtarakëve në një gradë të caktuar do të sjellë uljen e shpenzimeve buxhetore duke bërë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë më pak taksa. Sot paguajmë 3 palë ushtri, një aktive, një në rezervë, një në lirim.Ushtria nuk plaket, vetëm bën që profesionistët dhe ekspertë të mbeten për një kohë akoma më të gjatë brenda Forcave të Armatosura dhe të mos dalin në rezervë apo lirim në kulmin e kësaj pjekurie.Kam përcaktuar si prioritet rikthimin e disa vlerave në FA dhe rikthimin e dinjitetit që shpeshherë ka qenë i munguar. Projektligji synon të korrigjojë një sërë mangësish të ligjit aktual dhe të reflektojë ndryshimet që ndodhën në këto 10 vjet në Shqipëri. Synojmë të sjellim një moral të ri në FA, bazuar në meritë, profesionalizëm, performancë. Shfrytëzim i të gjithë kapaciteteve ushtarake që shoqëria ka investuar, dhe kjo është kosto që i duhet rikthyer shoqërisë shqiptare. Ndryshimet janë të domosdoshme, pasi veç të tjerash reflektojnë futjen e Shqipërisë 5 vjet më parë në NATO dhe ndryshimet që kanë ardhur për shkak të situatave shpesh herë të pakëndshme të një rreziku të caktuar, të një rrezikut agresiv ndaj sigurisë së vendeve të NATOS e demokracisë në përgjithësi.Ndërkohë Komisioni i Ligjeve miratoi ne parim projektligjin "Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë"dhe projektligjin "Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes”.