Vrasja në Shkodër, Adoleshenti: Mora përsipër krimin, shoku do merrte gjakun
Shkoder- Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me Burg” për Alban Lulashin 17 vjeç, i akuzuar për vrasjen e 24 vjeçarit Altin Koçeku, ngjarje e ndodhur në 15 maj në fshatin Hot i Ri.
(Në foto Alban Lulashi n sallën e gjyqit)
Seanca gjyqësore pati një zhvillim të papritur pasi i mituri ndryshoi dëshminë e tij para trupës gjykuese. Ndryshe nga sa kishte deklaruar në polici, Lulashi tha para togave të zeza se nuk kishte qëlluar ai me automatik në drejtim të automjetit Tip Benz, por kishte qëlluar shoku i tij Palush Demaj, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Krimin tha ai e mora përsipër pasi ma kërkoi Demaj, duke më thënë: “Ti merr autorësinë pasi je i mitur, unë të marr gjakun”
Pse ndodhi vrasja e 15 majit, Altin Koçeku u vra aksidentalisht
Me tej ai ka shtuar se konflikti ka qënë mes tij dhe shtetasit I.D edhe ky i shpallur në kërkim nga policia. “Shtetasi I.D më ka kërcënuar në telefon dhe për këtë gjë unë kam lajmëruar të afërmit e mi dhe shokët. Pas kërcënimit në telefon ai më ka kërkuar të takohemi dhe e kemi lënë në fshatin Hot takimin. Aty shtetasi I.D ka qëlluar në ajër për të trembur shokët e mi, Palush Demaj dhe Alfred Rrasën. Në kundërpërgjigje shoku im Palush Demaj ka marrë automatikun poshtë banakut të lokalit ku punonte dhe ka qëlluar në drejtim të makinës Benz.
Për shkak të xhamave të zinj, nuk e kemi ditur se brenda saj ndodhej 24 vjeçari Altin Koçeku, që mbeti i vrarë nga një plumb që e goditi në kokë. Menjëherë pasi Demaj qëlloi në drejtim të makinës, u larguam të gjithë, ku ne fshehëm edhe armën e krimit në zonën e “Zallit të Kirit”. Në pretencën e tij prokurori i çështjes Lazer Shytani kërkoi masën “arrest me burg” për 17 vjeçarin duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tij. Sipas ekspertizës në automjet dhe vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja model 56 dhe 3 gëzhoja model 54.
Gjithashtu janë gjetur 1 leje armë gjahu, një akt shitje makine, 1 çantë blu dhe një armë zjarri pa leje. Ndërsa në lokal janë gjetur një palë pranga ngjyrë e zezë dhe 3 pjesë metalike. Ndërkohë avokati mbrojtës Rroksan Sheldija kërkoi “Arrest shtepie” për klientin e tij me argumentin se ai është i mitur dhe ka kryer çdo veprim në kushte vetë mbrojtje, por kjo nuk u pranua nga trupa gjykuese e kryesuar nga Arber Çela. Tashme me ndryshimin e dëshmisë së të miturit, hetimet pritet të marrin një tjetër rrjedhe. Pas masës së sigurisë ai u dërguar në burgun e Shen Kollit në Lezhë.