Albcontrol:Kemi regjistruar të gjitha operimet e datës 10 maj
Tiranë- Shërbimi i Lundrimit Ajror i Republikës së Shqipërisë hedh poshtë akuzat për zhdukjen e të dhënave mbi avionin e rrëzuar në Divjakë. Në një deklaratë për mediat, Albcontrol deklaron se sistemet e tij përmbajnë të dhëna mbi të gjithë avionët që janë pajisur me leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe i është ofruar shërbimi i lundrimit ajror.“Albcontrol, Shërbimi i Lundrimit Ajror i Republikës së Shqipërisë, përmes kësaj deklarate për shtyp kërkon të informojë publikun e gjerë, i cili po dizinformohet në bazë ditore nga njerëz që nuk njohin argumentin specifik të lundrimit ajror, ose përhapin informacion të rremë me synim krijimin e kaosit informativ, për qëllime personale dhe partiake.Albcontrol nuk jep leje fluturimi. Albcontrol kryen shërbimin e lundrimit ajror, ose si në rastet e avionëve VFR (Visual Flight Rules - Avion që Pilotohet me Shikim), shërbimin e informimit të trafikut ajror, në bazë të lejes së fluturimit (clearance), lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Albcontrol nuk administron shkresa, por të dhëna elektronike që ruhen në sisteme moderne pa kufizim kohor, ndaj sigurojmë këdo, se sistemet tona përmbajnë të dhëna mbi të gjithë avionët që janë pajisur me leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe i është ofruar shërbimi i lundrimit ajror. Në sistemet tona gjenden të regjistruara të gjitha operimet e datës 10 maj, por edhe të të gjithë ditëve, muajve e viteve të mëparshëm” thuhet në deklaratë.Në vijim të deklaratës, Albcontrol thekson se të gjitha hapat që janë ndjekur nga kontrollorët e trafikut ajror, janë konform ligjeve, rregullave dhe procedurave të aviacionit civil në fuqi. Sipas autoritetit, çdo supozim, aludim me apo pa dashje, nga njerëz që nuk njohin argumentin dhe nuk janë ekspertë të fushës, përbalt punën e vështirë dhe të përgjegjshme të dhjetra kontrollorëve të trafikut ajror, përbalt sigurinë ajrore civile në Republikën e Shqipërisë.“Albcontrol është agjensi e sigurisë së lartë që funksionon bazuar mbi kodin e aviacionit, Konventen e Cikagos, rregulloret e Eurocontrol dhe mbi të gjitha operon në bazë të dokumentit 4444 të ICAO (International Civil Aviation Organisation), instanca më e lartë rregullatore e aviacionit civil ndërkombëtar.Kontrollorët e trafikut ajror në Albcontrol, kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrën e tyre, të kornizuar plotësisht nga manualet dhe procedurat e operimit, të cilat janë ndjekur me përpikmëri, dhe në rastin e avionit me shenjëthirrje I-GRMP, me leje fluturimi numër 193, lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Ky avion i përket tipit PA32, fluturon sipas rregullave VFR (Visual Flight Rules), pra jo me instrumente navigacional, por me shikim të lirë, totalisht në përgjegjësinë e pilotit. Kontrollori i trafikut ajror duke përjashtuar zonën mbi aerodromin e Rinasit, ku ofrohet shërbimi i kontrollit navigacional, i ofron vetëm informacionin navigacional fluturimeve VFR, pasi fluturojnë në lartësi më të ulta se juridiksioni ynë.Deklarojmë me përgjegjshmëri të plotë se të gjitha hapat që janë ndjekur nga kontrollorët e trafikut ajror në Albcontrol, janë konform ligjeve, rregullave dhe procedurave të aviacionit civil në fuqi.Albcontrol, Shërbimi i Lundrimit Ajror i Republikës së Shqipërisë, monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe mbështetet nga organizma europian dhe ndërkombëtar. Albcontrol kryen operacione specifike të fushës, me elementë të sigurisë së lartë teknike. Çdo supozim, aludim me apo pa dashje, nga njerëz që nuk njohin argumentin dhe nuk janë ekspertë të fushës, përbalt punën e vështirë dhe të përgjegjshme të dhjetra kontrollorëve të trafikut ajror, përbalt sigurinë ajrore civile në Republikën e Shqipërisë”përfundon deklarata.