Pikëpyetjet e riorganizimit të PD
Pas afro 1 viti nga humbja e thellë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, PD, partia më e madhe e opozitës në vend, duket se ka hyrë në një fazë konkrete të riorganizimit të saj.Për këtë proces janë hartuar edhe disa udhëzime nga ana e kryetarit aktual të PD, Lulzim Basha, të cilat në jo pak raste kanë qenë edhe objekt debatesh brenda kësaj force politike.Pa u ndalur shumë në detajet teknike të këtij riorganizimi, ajo që bie në sy është fakti se procesi në fjalë nuk u shoqërua paraprakisht me një analizë të thellë, lidhur me shkaqet që çuan PD pas 8 vitesh qeverisje, në humbjen më të thellë që kjo forcë politike ka realizuar që nga themelimi i saj si subjekt politik rreth 24 vite më parë.Në këto kushte i gjithë procesi i riorganizimit është thjeshtë teknik me mundësi të shumta që gabimet që çuan PD në këtë humbje të stërmadhe të ripërsëriten, madje akoma më thellë, në zgjedhjet vendore që priten të zhvillohen pas një viti. Procesi i analizës nuk është një proces spastrimi.Ai është proces diagnostikues në mënyrë që dhe kurimi të jetë sa më efektiv. Për të gjithë është e qartë se humbjua e PD në zgjedhje jo vetëm ka autor, dhe ai nuk është vetëm ish kryetari i saj Sali Berisha, por edhe shumë figura të tjera të niveleve të larta qeverisëse të kësaj force politike.Z. Berisha është mjaftuar vetëm të marrë përgjegjësinë e humbjes, por nuk ka lejuar që të bëhet një analizë brenda forcës politike që ai ka drejtuar për shkaqet që e çuan PD në humbje.Një analizë e tillë do të nxirrte në pah jo vetëm keqeverisjen e vendit prej tij, kthimin e qeverisë si një mjet pakice për të sunduar dhe jo për të qeverisur, frymën e parreshtur konfliktuale që ai impononte në jetën politike dhe sociale të vendit, duke u kthyer në realitet një lider politik i papranushëm për qytetarinë, e cila e ndëshkoi në zgjedhje me votë.Me të njëjtën filozofi ai drejtoi edhe PD gjatë 8 viteve të qeverisje, duke shpikur format ndryshme drejtimi e vendimarrje si kryesia e vogël, anashkalim këshillit kombëtar, bllokim zgjedhjesh për kryesinë qëndrore etj. Me pak fjalë një parti vetëm me kryetar, përvojë e cila vijon të ndiqet edhe sot nga kreu aktual i PD, Basha. E gjithë skema me karakter organizativ ku është përfshirë aktualisht PD, duket qartë se nuk ka në themel një katarsis, apo edhe një lloj pendese për gabimet e rënda të PD gjatë 8 viteve qeverisje.Skema synon që z. Berisha të vijojë të ruajë drejtimin e PD pas perdeve, ndërkohë që kjo skemë nuk e ndihmon Bashën të rrisë autoritetin dhe profilin e tij politik brenda PD, ndonëse udhëzimet firmosen prej tij. Shumë persona në kupolën drejtuese të saj mund të mos ballafaqohen asnjëherë me drejtësinë për dhjetra afera korrupsioni, abuzimesh dhe vjedhjesh të pasurive publike.Të gjithë e dimë se në çfarë ditësh të errëta është drejtësia shqiptare.Janë pikërisht pjesa dërrmuese e këtyre personazheve, ata të cilët kanë marrë në dorë frenat e riorganizimit të PD, më shumë për ti dhënë vetes një mburojë politike nga akuzat, sesa të jenë pjesë e një përpjekje serioze për të modernizuar partinë më të madhe të opozitës në vend për t'i kthyer asaj frymën e një partie me mbështetje në rang kombëtarë.Teknikisht procesi i riorganizimit do të funksionojë, por politikisht PD ka ende shumë rrugë për të bërë për tu kthyer në një forcë politike moderne dhe serioze e aftë për të rimarrë në dorë qeverisjen e vendit. Sa më shumë PD të zgjasë procesin e katarsisit, dhe sa më shumë të vijojë të ecë në shtigjet e stërshkelura të luftës opozitare të 17 viteve më parë, aq më shumë janë gjasat që skena politike shqiptare në të ardhmen të ketë një konfigurim të ri, ku ata që sot bashkëqeverisin të jenë forcat kryesore politike të pozitës dhe opozitës së nesërme.