Serbi, Stefan Fyle nesër takim me qeverinë e re Vuçiç
Beograd - Komisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fyle do të vizitojë nesër Serbinë për t’u takuar me qeverinë e re të drejtuar nga Aleksander Vuçiç. Vizita e Fyles do të nisë me një takim me presidentin serb Tomisllav Nikoliç, ndërsa më pas të dy do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas zyrtari i lartë i BE-së do të zhvendoset në kryeministri për një takim me kryeministrin e ri të vendit, Vuçiç.Përpara vizitës dhe publikimit të axhendës së eurokomisionerit në Beograd, zv.kryeministri dhe njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, e ka vlerësuar atë si shumë të rëndësishme."Kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë për të ardhmen e bisedimeve mes Serbisë dhe Bashkimit Europian. Një takim mes ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të mbahet në Selanik të Greqisë të enjten, ku Fyle dhe komisioneri i BE-së për energjinë, Gunther Oettinger do të jenë prezent dhe kjo për ne do të jetë mbështetje më e madhe", tha Daçiç, ndërsa bëri publike edhe axhendën e Stefan Fyle në Beograd.Sipas Daçiç, vizita të tilla të zyrtarëve më të lartë të BE-së në Beograd, tregon qartë se sa e rëndësishme është Serbia për Bashkimin Europian. E ndërsa Serbia pret që në qershor të zhvillojë një takim të dytë ndërqeveritar në Bruksel, qeveria e re pyet ndoshta veten sesa përparim kanë bërë përpara dhe sa shanse ka ajo të hapë një kapitull të ri.Stefan Fyle, i cili do të mbërrijë në Beograd mëngjesin e të hënës, do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit serb dhe me krerë të grupeve parlamentare. Ndërsa shpalli planin për të vizituar Serbinë, vetë komisioneri Fyle, tha se vizita e tij menjëherë pas asaj të Baroneshës Ashton, ka një kuptim të madh, ndërsa nuk ngurroi edhe të shprehë pritshmëritë për qeverinë e re të drejtuar nga Aleksandër Vuçiç.Ai nënvijëzoi se forcimi i pozitave të Beogradit dhe Prishtinës në BE, varet krejtësisht nga progresi real në implementimin e marrëveshjes së 19 prillit të vitit të shkuar. Vizita e komisionerit Fyle në Beograd, vjen pas vizitës së 28 prillit të baroneshës Catherine Ashton atje, gjatë të cilës zyrtarja e lartë e BE edhe një herë shprehu mbështetjen për integrimin e vendit në BE, por edhe për reformat që do të ndërmarrë qeveria e re.