Në prag të statusit, Bushati "lobim" në Austri, Poloni dhe Greqi

Tiranë-Ministri i Punëve të Jashtme,Ditmir Bushati, do të zhvillojë një tur vizitash dhe takimesh në Austri, Poloni dhe Greqi.Në kuadër të vizitës së tij në Austri, Ministri Bushati do te zhvillojë një takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 124-t të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Ky aktivitet përkon dhe me 65-vjetorin e krijimit të kësaj organizate pan-evropiane.Gjatë vizitës së tij në Varshavë, Ministri Bushati do të takohet me homologun e tij Radoslav Sikorski, si dhe do të pritet në një takim nga zv/kryetari i Parlamentit polak.Takimet do të përmbyllen me vizitën në Greqi, ku Bushati do të marrë pjesë në Konferencën Ministeriale BE - Ballkani Perëndimor, e cila do të zhvillohet në Selanik, më 8 maj 2014.Kjo konferencë, e cila zhvillohet në kuadrin e Presidencës greke të BE-së, synon të rikthejë vëmendjen e vendeve anëtare ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të nxisë proceset integruese të vendeve të rajonit.