Transparency International: Edhe BE e rrezikuar nga korrupsioni

Bruksel- Konflikte interesash, mungesë transparence në procesin legjislativ, lobistë jashtë kontrollit. Sipas Transparency International, edhe institucionet evropiane janë të ekspozuara ndaj rrezikut të korrupsionit. Këtë e tregojnë rezultatet e raportit të fundit të saj, që është edhe i pari i realizuar mbi këtë temë: "The EU Integrity System Report"."Qytetarët nuk informohen mbi atë se si ndikojnë interesat mbi legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe mbi ata që janë në pushtet - theksohet në Raportin e Transparency International. Sipas saj, kjo është një mangësi e rëndë, pasi Bashkimi Evropian administron çdo vit 140 miliardë euro buxhet dhe ka kompetencë mbi çështje delikate, të tilla si reformat e sistemeve bankare".Mungesa e transparencës sjell rritjen e konsensusit në gjirin e partive euro-skeptike. "Zgjedhjet evropiane të majit janë një rast për të rishikuar se si institucionet e BE mund të shërbejnë më mirë për qytetarët. Në rast se lidershipi i ri dëshiron seriozisht të frenojë rënien e besimit, rreziqet e korrupsionit duhet të përballohen para se të kthehen në skandale", deklaroi Carl Dohan, drejtor i Zyrës së Brukselit të Transparency International.Sipas raportit, problemi i Bashkimit Evropian nuk janë normat, të cilat në përgjithësi rezultojnë të mira dhe të hollësishme, por një system i kompromentuar nga "praktika të këqija, nga mungesa e dëshirës politike apo nga mungesa e burimeve dhe e personelit". Zbatimi i dobët i normave është i dukshëm, për shembull, në rastin e mosveprimit me dashje nga ana e Komisionit Evropian për të përdorur pushtetin e tij që të ndalojë ndërmarrjet e korruptuara të marrin pjesë në tendera publikë në BE.Janë të shumta veprimet që çojnë në vendime, të cilat i fshihen publikut, siç ndodh me të ashtuquajturit "trologje", apo mbledhje gjatë të cilave ligjet e BE diskutohen dhe negociohen me dyer të mbyllura ndërmjet Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit.Po aq e rëndë është, sipas organizatës, eshte mungesa e rregullave dhe kufizimeve për lobistët, që kërkojnë të ndikojnë vendimet evropiane në favor të ndërmarrjeve apo organizatave nga të cilat paguhen. Pavarësisht nga prania e 15 mijë lobistëve në Bruksel, në fakt, nuk ekziston asnjë rregull që të detyrojë legjislatorët evropianë të regjistrojnë dhe/ose publikojnë takimet me ta gjatë diskutimit të ligjeve dhe as ato çka u sugjerohet atyre lidhur me ligjet dhe amendimet mbi to, të cilat janë në fazë miratimi.Sipas Organizatës "Transparency International, predikohet mirë por vendimet janë të këqija. Pavarësisht nga thirrjet e Komisionit Evropian, në fakt janë anëtarët e PE-së, të parët që nuk u nënshtrohen verifikimeve të plota dhe sistematike lidhur me deklarimet e pasurisë dhe praninë e mundshme të konflikteve të interesit. Edhe pse në relacionin mbi korrupsionin të vitit 2014, ka qenë vetë Komisioni që ka sinjalizuar rreziqet që vijnë nga mungesa e administrimit të të dhënave të tilla. Pastaj, mungojnë rregullat për të shmangur konflikte interesash në krye të institucioneve. Askush nuk kontrollon periudhën e kohës, gjatë së cilës një punonjës kalon nga një detyrë publike, në sektorin privat, që është logjike të pritej. Ka mospërputhje të dukshme lidhur me respektimin në kohë të detyrimeve për personat që largohen nga detyrat në institucione. Periudhat "e freskimit" shkojnë nga 18 muaj për ish-komisarët, në 3 vjet për ish-anëtarët e Gjykatës Civile Evropiane, ndarkohë që deputetët përjashtohen nga detyrime të rëndësishme pasi lënë detyrën".Raporti sjell, si ilustrime për një situatë jo pozitive, disa skandale të bujshme, si psh ai kur disa parlamentarë evropianë janë filmuar duke shprehur gatishmërinë për të pranuar rryshfet që të miratonin amendime që i interesonin dikujt në vitin 2011. Apo rastin e vitit 2012, të skandalit me komisarin evropian nga Malta John Dalli, të ngatërruar në manipulime lidhur me industritë e duhanit. Në rastin e parë, konstaton raporti, Parlamenti kërkoi të bllokojë hetimet e Zyrës ndaj katër deputetëve. Në të dytin, Zyra u akuzua nga Parlamenti për mosveprim në mënyrë transparente dhe, për më tepër, për krijimin e marrëdhënieve tepër të afërta me administratorët e Komisionit Evropian. Transparency International vendos si kontrollorët, ashtu edhe te kontrolluarit, në bankën e të akuzuarve. Ndërkohë që shpreh shpresën se Zyra kundër Mashtrimit, e cila ka pavarësi operative, të përdorë mekanizmat e saj për hetime efektive që të dënohen të korruptuarit në gjirin e institucioneve./sg/oranews online/