Sot 1 Maji, manifestime në botë, përleshje në Turqi
Stamboll- Miliona persona do të dalin sot në protestë në mbarë botën, për 1 majin, ditën e punëtorëve.Nga vendet aziatike ku sindikatat çdo vit manifestojnë për të kërkuar rritje pagash dhe kushte më të mira pune, e deri në Moskë ku është programuar një manifestim në 'Sheshin e Kuq", ku këtë vit duket se krenaria e rusëve për aneksimin e Krimesë, do të zbehë manifestimet e sindikatave.Ashtu sikurse ka ndodhur edhe vitet e shkuara, në Turqi 1 maji nuk ka nisur i qetë. Miliona protestues kanë zbritur në sheshin "Taksim" të Stambollit, të njohur tashmë si sheshi i protestave, për të manifestuar jo vetëm për kushte më të mira punë, por edhe kundër regjimit të kryeministrit Taip Rexhep Erdogan.Protesta të dhunshme, mes policisë e manifestuesve, kanë nisur edhe në qytete të tjera të Turqisë. Sheshi "Taksim" në Turqi ka edhe një kuptim të rëndësishëm për turqit, pasi në 1977, pikërisht aty u vranë 34 persona nga policia gjatë manifestimeve për ditën e punëtorëve.Në disa shtete të botës, mes të cilave edhe në Ukrainë, ambasadat amerikane dhe franceze, kanë njoftuar një ditë më parë, mbylljen e selive të tyre diplomatike, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.Protesta janë parashikuar në mbarë botën, si në Britaninë e Madhe, Greqi, Spanjë, Indonezi, Kroaci, Kili, Guatemala, Afrikën e Jugut, Vietnam e më gjerë, vende në të cilat dita e puëntorëve ka të njëjtin kuptim: shfrytëzim i punëtorëve, pasiguria e përhershme, represioni, poshtërimi në vendin e punës dhe prej vitesh tashmë, pagesat dhe niveli i lartë i papunësisë. Protestat do të zhvillohen nga punonjësit e fabrikave, minierave, bujqësisë, ndërtimit, tregtarët sipas të cilëve, kudo në mbarë botën, ende sot në shekullin e 21-të, kushtet e punës janë si në shekullin e 18-të.