Bushati: Akordimi i statusit në qershor hap një kapitull të ri

Vetëm 2 muaj para vendimit të vendeve të BE, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehet optimist se Këshilli në qershor do t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Bushati vlerëson se akordimi i statusit të vendit kandidat është vetëm një moment, i cili nënkupton hapjen e një kapitulli të ri, të vërtetë, në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por edhe në procesin e shtet-ndërtimit demokratik të Shqipërisë.“Jam realist që Shqipëria po ecën me hapa të sigurtë drejt kandidaturës në BE. Besoj që Këshilli, në qershor, do t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Është një vendim tashmë i vonuar kur vjen puna tek Shqipëria, sepse është një proces në të cilin vendi ka katër vjet që endet dhe që është pjesë përbërëse e tij. Por besoj që akordimi i statusit të vendit kandidat është vetëm një moment, i cili nënkupton hapjen e një kapitulli të ri, të vërtetë, në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por edhe në procesin e shtet-ndërtimit demokratik të Shqipërisë. Besoj se akordimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, sikurse ishte anëtarësimi në NATO pesë vite më parë, do të jetë një ogur i mirë, jo thjesht për zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, por do të projektohet në mënyrë pozitive edhe për pjesën tjetër të rajonit: më konkretisht, e kam fjalën për atë pjesë ku banojnë shqiptarë apo ku faktori politik shqiptar është pjesë e vendimmarrjes në proceset demokratike. Jemi duke punuar si në aspektin e brendshëm – me reforma në fushën e sundimit të ligjit, të cilat janë të dhimbshme e jolehtësisht të arritshme, por është e rëndësishme që kurba të jetë pozitive – sikundër jemi duke punuar dhe me vendet anëtare kyçe të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Jo më pak e rëndësishme është dhe mbështetja e SHBA-së në këtë proces, sepse dihet që përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë ishte vendimtare për atë që sot është arkitektura e BE-së. Gjithashtu, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, dhe posaçërisht për Shqipërinë, do të jetë vendimtare dhe për avancimin e Shqipërisë në rrjedhat evropiane” deklaroi ai.Marrja e statusit, sipas Bushatit do të vendoste në qoshe dhe do të izolonte disa fenomene politike në Shqipëri të papëlqyeshme.“Unë uroj, shpresoj dhe besoj që pas vendimit të BE-së në qershor klima politike në Shqipëri do të jetë më e paqtë e më mirëkuptuese, sidomos në lidhje me reformat kryesore shtet-ndërtuese, për të cilat ka nevojë për një proces mirëkuptimi, dialogu dhe gjithpërfshirjeje. Besoj gjithashtu që marrja e statusit të vendit kandidat do të vendoste në qoshe dhe do të izolonte disa fenomene politike në Shqipëri të papëlqyeshme. Vjet ne kishim një moment jashtëzakonisht pozitiv, kur në prag të vendimmarrjes për statusin e vendit kandidat, Kuvendi i Shqipërisë, njëzëri, pra të gjithë deputetët pavarësisht bindjeve politike, iu drejtuan BE-së nëpërmjet një rezolute ku shprehnin kërkesën për mbështje për statusin e vendit kandidat. Besoj se klasa politike shqiptare, pas qershorit, do të ketë detyra të tjera edhe më të vështira, për t’u përballur jo thjesht me BE-në dhe me kërkesat impenjative që burojnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por mbi të gjitha për t’iu përgjigjur kërkesave që vijnë nga qytetarët shqiptarë” u shpreh Bushati.Deklaratat Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i beri nga Uashingtoni ku po merr pjesë në një konferencë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, një organizatë jo-qevertiare. Konferenca mblidhet për të shënuar arritjet drejt krijimit të një Evrope të lirë dhe të bashkuar.