Kore e Jugut, shkon në 150 numri i viktimave, rrëfimi i të mbijetuarit
Një nga të mbijetuarit e tragetit të përmbytur në Korenë e Jugut, ka treguar momentet e para pas alarmit për evakuim."Ishte një moment i tmerrshëm dhe i frikshëm, por mora vendimin që të dilja sa më parë, të shpëtoja veten ndërsa trageti zhytej gjithnjë e më shumë në ujë në një kohë që shihja shumë studentë që përpiqeshin të shpëtonin veten"-tha ai.Eun Su Choi, me profesion shofer, një nga pasagjerët që ka arritur të shpëtojë ka thënë për BBC se ishte shumë e vështirë që të tërhiqje pas vetes edhe njerëz të tjerë, paksa për shkak të ujit të ftohtë e paksa prej panikut e frikës se mos mbeteshim të bllokuar e fundoseshim bashkë me tragetin, por tani jam bërë pishman që nuk arrita të shpëtoja njeri.Kanë kaluar 6 ditë nga tragjedia në ujërat e Koresë së Jugut dhe numri i viktimave ka arritur në 150, ndërsa 152 persona ende rezultojnë të zhdukur.Eun Su Choi tregon se këtë rrugë e ka bërë me qindra herë dhe kurrë nuk ka patur probleme. Në momentin e tragjedisë, pak përpara se trageti të mbytej, ai thekson se pjesa më e madhe e pasagjerëve po hanin mëngjesin, në restorantin që ishte në katin e parë të tragetit ndaj dhe pjesa më e madhe e pasagjerëve kanë mbetur në atë pjesë dhe e kanë patur të vështirë të dalin të gjallë. E ndërsa orët kalojnë e trupa të pajetë nxirren nga trageti i mbytur, mediat lokale vijojnë të publikojnë detaje të reja. Pas thirrjeve të vonuara të kapitenit të tragetit për evakuiim, vetëm 2 nga 46 varkat e shpëtimit u lëshuan në ujë, të tjerat kishin ngecur. Autoritetet e Koresë së Jugut po përgatiten që ta tërheqin anijen në sipërfaqe për të nxjerrë edhe trupat e tjerë por familjarët nuk pranojnë me shpresën se personat e zhdukur, shumica student, janë ende të gjallë.

