Në Sharrë varre vetëm me prenotime, kush nuk ka një copë vend, nuk "lejohet" të vdesë VIDEO
Në Tiranë mund të vdesin vetëm ata që kanë menduar herët për të pronotuar një varr. Të tjerët? Duhet të presin sa qeveria të hapë qesen për të blerë varret e reja.
(Në foto: Ceremoni mortore në varrezën e Sharrës)Ndoshta kjo mund të jetë ceremonia e fundit mortore në varrezën e Sharrës. Për ironi të fatit, përtej dhimbjes sot themi që këta familjarë janë më fat që kanë një hapësirë në varrezën familjare për të nderuar këtë person që ka ndërruar jetë.Prej disa kohësh Bashkia tha se 2 varrezat publike të qytetit janë të mbylluar dhe për këtë fajësoi qeverinë, se përmes bllokimit të buxhetit ka bërë që të mos nisin shpronësimet për një hapësirë për varre.
(Në foto: Gazetarja Manjola Hasa duke raportuar mbi problematikën e mungesës së varreve)Në të dyja varrezat publike, qytetarët po shfrytëzojnë centimetrat e fundi të hapësirave për banesë të fundit. Prej muajsh këto varreza janë të mbyllura dhe kjo stituatë dramatike po pasohet vetëm me deklarata publike. Bllokimin e buxhetit, Basha e quajti si politikë e verbër që s'po kursen të gjallë as të vdekur.“Garantoj qytetarët se e gjithë energjia dhe vëmendja e Bashkisë së Tiranës mbetet tek hallet, problemet dhe nevojat e tyre. Uroj dhe shpresoj që e njëjta të vlejë edhe për Këshillin Bashkiak dhe që ndonëse po mbyllet 1/3 e vitit, buxheti i Tiranës të zhbllokohet e në këtë mënyrë t’u jepet zgjidhje problemeve të cilat janë shkaktuar nga kjo politikë e verbër që nuk po kursen as të gjallë, as të vdekur. Janë bllokuar me dhjetëra çerdhe, kopshte, shkolla, me dhjetëra rrugë, afro 12 blloqe urbane, projektet e së cilave kanë përfunduar. Puna nuk mund të nisë në asnjë prej tyre, për shkak, të kësaj politike të verbër konflikti e cila nuk po kursen interesat e qytetarëve të Tiranës, të vogëlushëve të Tiranës, nuk po kursen interesat e çdo grup-moshe, madje as të vdekurit, pasi siç e kemi bërë me dije, varrezat aktualisht ndodhen në kapacitet të plotë, pra nuk ka asnjë mundësi për të vijuar me proceset funerale” – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.Edhe në thirrjen e fundit të bërë nga Bashkia e Tiranës, i kërkohet qeverisë që të zhbllokojë buxhetin, sepse nuk proçedon më as me shpronësime, as me bërjen e varrezave murale dhe as me sistemin e atyre ekzistuese.Edhe pas kësaj thirrje të fundit, situata nuk ka ndryshuar. Çështja është ende në udhëkryq, e familjarët përpara se të nisin vajin për atë që ka ndërruar jetë, me gjakftohtësisë duhet të gjejnë zgjidhje se ku do të prehet ai.