Vetëvrasja në Korçë, “sherr” PD-PS, Duma: Pasojë e spastrimeve. Xhaçka: Nuk u pushua VIDEO

Vetëvrasja e një 52-vjeçareje në qytetin e Korçës rihapi debatin e fortë mes opozitës dhe mazhorancës për largimet nga administrata publike dhe pasojat sociale. 

Nga selia blu Koordinatorja për Marrëdhëniet Publike, Grida Duma denoncoi atë që e quajti pasojë dramatike të spastrimeve në administratë.

“Revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje”, u shpreh Duma.

I menjëhershëm, i prerë dhe i ashpër ishte reagimi nga Partia Socialiste. Deputetja e qarkut të Korçës, Olta Xhaçka akuzoi se Partia Demokratike po bën politikë me krimin ndërsa shtoi se 52-vjeçarja nuk ishte pushuar nga puna pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

“Mund t'ju them me përgjegjësi të plotë, si deputetë e qarkut Korçë, e interesuar për këtë rast, se nuk ka pasur asnjë pushim apo largim nga puna të zonjës Meko.

I bëj thirrje Partisë Demokratike, Grida Dumës dhe çdo personi tjetër të përfshirë në këtë deklaratë të turpshme, të kërkojnë ndjesë dhe të mos kërkojnë përfitim politik nga çdo gjë. Të paktën, jo nga vdekja dhe fatkeqësia”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e  Olta Xhaçkës.

Brunilda Meka i dha fund jetës në banesën e saj në Korçë duke u vetëhelmuar me një sasi medikamentesh. Familjarët nuk pranuan të komentojnë ngjarjen e cila ndezi debatin në Tiranë. 

Deklarata e plotë e Partisë DemokratikeNjë grua, një bashkëshorte dhe nënë, e vetmja e punësuar në një familje korçare, i ka dhënë fund dje jetës, pasi spastrimet që po bën qeveria në administratë e hodhën atë në rrugë.Bruna Meko nuk e përballoi dot dhunën e dyshes Rama-Meta që pas një terrori psikologjik, dhe në dëshpërim e sipër nëna e dy djemve dhe bashkëshortja e një burri që lëngon prej vitesh në shtrat, u vetëhelmua.Puna që 51-vjeçarja bënte prej më shumë se 10 vitesh, ishte e vetmja e ardhur financiare për familjen Meko.Të afërmit dhe kolegët e saj tregojnë se ajo i kishte paralajmëruar zbatuesit e spastrimeve në administratë, se nuk do ta përballonte dot nëse do ta hiqnin nga puna.Por revanshi i shkarkimeve masive, skema anti-ligjore dhe anti-humane e dyshes Rama-Meta është e verbër për të parë dhe e shurdhër për të dëgjuar lutjet e një gruaje, të një nëne dhe të një bashkëshorteje.Partia Demokratike është thellësisht e indinjuar nga kjo ngjarje dhe gjendet sot pranë familjes Meko në këtë ditë të tmerrshme.Parti Demokratike akuzon Edi Ramën dhe Ilir Metën, dhe spastruesit e tyre në terren, si përgjegjës të zhdukjes së shpresës që po shkaktojnë me shkarkimet denigruese nga puna, si përgjegjës të ndarjes nga jeta të Bruna Mekos.

Deklarata e plotë e Partisë Socialiste

Sot ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Përmes Grida Dumës, Partia Demokratike sot ka zgjedhur të bëj politikë me vdekjen dhe me fatkeqësinë. Kjo është e pamoralshme, e turpshme dhe e pafalshme.

Prej vitesh jemi mësuar me lumin e akuzave, fyerjeve, shpifjeve, baltës, që buronin nga zyrtarë të Partisë Demokratike dhe goja e ish Kryeministrit. Por kjo e sotmja, është shumë e rëndë. Një grua, nënë, bashkëshorte, është ndarë nga jeta. Kjo është një fatkeqësi, për të cilën sot vuajnë familjarët, të afërmit dhe miqtë e saj.

Ndërkohë opozita shfrytëzon këtë rast për të bërë politikë, sërish përmes shpifjes dhe baltës. I njëjti avaz, njësoj si gjatë tetë viteve të fundit.

Për arsye plotësisht  dhe vetëm etike, në respekt të një personi që sot nuk jeton më dhe familjarëve të saj, të cilëve i shprehim ngushëllimet më të sinqerta, nuk dëshiroj të jap asnjë detaj për çështje të cilat nuk do të përbenin asnjë interes publik nëse Grida Duma nuk do të kishte bërë sot shfaqjen e turpshme që bëri.

Por mund t'ju them me përgjegjësi të plotë, si deputetë e qarkut Korçë, e interesuar për këtë rast, se nuk ka pasur asnjë pushim apo largim nga puna të zonjës Meko.

I bëj thirrje Partisë Demokratike, Grida Dumës dhe çdo personi tjetër të përfshirë në këtë deklaratë të turpshme, të kërkojnë ndjesë dhe të mos kërkojnë përfitim politik nga çdo gjë. Të paktën, jo nga vdekja dhe fatkeqësia.