Basha: Era fryn djathtas në Evropë. Rikthimi PD në qeverisje, domosdoshmëri VIDEO

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar ashpër qeverinë për manipulim të shifrave reale të ekonomisë së vendit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Basha tha se Kryeministri është i fokusuar tek show mediatik, duke propoganduar shifra jo reale të rritjes së ekonomisë, por dhe borxhit publik.“Propaganda pa bukë, ashtu si gënjeshtra, i ka këmbët e shkurtra dhe ne nuk shqetësohemi shumë për ketë sepse e vërteta del në dritë.Por ka një element të ri, që nuk mund të na lerë indiferentë, në llojin dhe sistemin e propagandës që ka vënë në lëvizje zoti kryeministër. Është supermashtrimi dhe manipulimi irracional, pa asnjë doganë, me shifrat dhe faktet.Shembulli më tipik është shifra që referon për borxhin, të cilin e quan “borxhi i paregjistruar” dhe që sipas tij shkon në 720 milion dollarë! Shqiptarët po nënqeshin me tallje dhe hidhërim me këtë thagmë të re të kryeministrit. Për një qeveri dhe për një kryeministër normal nuk mund të këtë borxh të paregjistruar; një borxh i paregjistruar nuk është borxh. Aq më shumë mund të flitet në hava për borxhin nga kryeministri i qeverisë shqiptare, që ka pajtuar kundrejt pagesës së majme një kompani ndërkombëtare auditi, , për të nxjerrë vlerën e borxhit, që doli 250 milion dollarë, raport që asnjëherë nuk u bë publik. Por si për planet ashtu edhe për propagandën e tij, kryeministrit i duhet një borxh shumë më i lartë se borxhi real. Ndaj ka shpikur termin e borxhit të paregjistruar, që nuk e njeh asnjë qeveri dhe asnjë institucion në botë. Ndaj ka nxjerrë për momentin shifrën 720 milionë dollarë, që njëherë e kishte dy herë më të lartë dhe mund ta dyfishojë pa problem, sepse borxhi i paregjistruar nuk ka njeh limit.Rritja artificiale e shifrave të borxhit për konsum propagandistik bëhet për të justifikuar dështimet e qeverisë, dështimet në mbajtjen e premtimeve për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit dhe për financimin e ekonomisë edhe pasi kjo qeveri ka marrë një borxh të madh në vjeshtën e vitit të kaluar dhe përgatitet të marrë një hua të re të madhe këtë vit. Me fjalë të tjera, sa më shumë të dështojë zoti Rama me qeverinë e tij, aq më shumë do të vijë duke e rritur “borxhin e paregjistruar” për t’u thënë shqiptarëve “ne po bëjmë çmos, por kemi gjetur një borxh që nuk na lë të shohim dritë”tha Basha.E rritja e shifrave reale për borxhin publik, sipas Bashes e ka një qëllim.“Zotin Rama e gënjen mendja se mund t’i mashtrojë për herë të dytë shqiptarët. Njerëzit besojnë premtimet, por gjykojnë faktet. Njerëzit po shohin se kjo qeveri ka marrë e po merr borxh më dorë të rëndë, por nuk po shlyen detyrime; ka ngritur taksat si asnjëherë tjetër dhe po mburret se po realizon e tejkalon planin e të hyrave në buxhet, por nuk po ndërmerr asnjë investim, nuk po bën asnjë punë serioze që t’i ketë duk. Kjo ka dy shpjegime. Qeveria ose po gënjen për te ardhurat, ose po i shpërdoron ato. Në fakt po i bën të dyja”theksoi ai.Sipas Kryetarit demokrat, shqiptarët nuk mund të pranojnë një qeveri mashtruese.“Dështimi i tyre në këtë rrugë është i sigurt. Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të mos u thotë “ ikni”, rrenave dhe rrenacakëve, mashtrimit dhe mashtruesve, njëlloj siç po u thonë qytetarët europianë që po votojnë politikat reale të zhvillimit” shtoi kreu i demokratëve.Basha tha se Shqipërinë është marrë peng nga eksperimentet e paafta dhe të papërgjegjshme të tipit ku rafsha mos u vrafsha të qeverisë Rama-Meta.“Ardhja e qendrës dhe qendrës së djathtë në qeverisjen e vendit është një domosdoshmëri për të ndaluar krizën në pikiatë dhe për të rimarrë ringritjen.Hartimi dhe zbatimi i politikave që burojnë nga parimet e lirisë dhe shtetit ligjor janë rruga e sigurt për të kthyer në shinat e zhvillimit dhe përparimit Shqipërinë e marrë peng nga eksperimentet e paafta dhe të papërgjegjshme të tipit “ ku rafsha mos u vrafsha”, nga arroganca, demagogjia dhe papërgjegjshmëria e qeverisë Rama-Meta. Epërsinë e politikave tona e tregojnë edhe të dhënat e raportit të fundit të INSTAT-it. Ndonëse Rama dhe beniaminët e tij bëjnë çmos për të manipuluar shifrat e ekonomisë shqiptare në funksion të nxirjes së qeverisë së mëparshme dhe të reklamës për qeverinë e tyre, prapëseprapë nuk ia dolën dot t’i fshinin deri në fund të dhënat që tregojnë se politikat e ndjekura nga qeveria demokratike kanë dhënë impakte tejet pozitiv në sektorin e industrisë dhe ndërtimit’përfundoi Basha.