Kalimi i gazjellësit TAP në Shqipëri, Këshilli Kombëtar i Territorit i hap rrugë ndërtimit VIDEO
Projekti i Gazësjellësit TAP merr lejen nga Këshilli Kombëtar i Territorit për të nisur ndërtimin në Shqipëri. Leja zhvillimore komplekse mund të konsiderohet si një prej aprovimeve më të rëndësishme që i janë dhënë TAP AG prej autoriteteve shqiptare dhe nënkupton të drejtën e nisjes së ndërtimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm për vendin.Ky aprovim do të ndiqet nga një fazë e dytë, gjatë së cilës pritet të bëhet lëshimi i Lejes Komplekse Zhvillimore nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në pjesë sipas të gjitha seksioneve dhe fazave të zhvillimit të sistemit të gazsjellësit TAP.Ndërtimi i gazsjellësit TAP do të sjellë edhe zhvillime infrastrukturor në zonat ku do të kalojë. Pas marrjes së kësaj leje do të nisë si fillim rehabilitimi dhe ndërtimi i rrugëve dytësore dhe urave në Shqipëri, duke nisur nga viti 2015 dhe kjo fazë do të ndiqet nga shtrimi i tubacionit të gazsjellësit dhe ndërtimi i faciliteteve të tjera lidhur me infrastrukturën e transportit të gazit.TAP do të jetë një prej investimeve më të mëdha të huaja në Shqipëri me një kosto ndërtimi rreth 1 miliard euro. Gjatë ndërtimit të gazsjellësit, TAP do të krijojë mundësi punësimi për vendin në fushat e ndërtimit, transportit dhe komunikimit, prodhimit dhe shërbimeve, tregtisë, financës dhe shërbimeve të biznesit .TAP gjithashtu do të krijojë mundësinë që Shqipëria të zhvillojë një treg vendor gazi dhe lidhje me rrjetet rajonale të gazit. TAP do të transportojë gaz natyral nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë.