Ngecin bisedimet e paqes në Siri, nuk ka dakordësi për transferimin e pushtetit

I dërguari i OKB-së, Lakhdar Brahimi, thotë se negociatat e paqes për Sirinë do të vazhdojnë në Gjenevë nesër, por çështja e vështirë e krijimit të një qeverie tranzicioni, do të lihet mënjanë, në mënyrë që bisedimet të përqendrohen tek një marrëveshje e mundshme.Brahimi tha se palët siriane po vazhdonin të diskutonin për mënyrat sesi gratë dhe fëmijët mund të largohen nga qyteti i vjetër i Homsit, por se nuk ishte marrë ndonjë vendim për të lejuar një autokolonë ndihmash në qytetin e rrethuar. Dy palët priteshin të diskutonin çështje delikate politike si e ardhmja e Presidentit Bashar Al-Assad.Por gjatë takimit, pala e qeverisë paraqiti një dokument që përqendrohej tek nevoja për të luftuar terrorizmin dhe për të ndalur financimin dhe furnizimet me armë për kryengritësit që po përpiqen të rrëzojnë nga pushteti zotin Assad.Përfaqësuesit e opozitës e hodhën poshtë deklaratën e parimeve të qeverisë siriane, që ata thanë se dilte nga korniza e bisedimeve të Gjenevës dhe nuk përfshinte transferimin e pushtetit në Damask.Luftimet mes grupeve rebele siriane kanë lënë më shumë se një mijë të vdekur vetëm javët e fundit. AnalIstët thonë ne nga kjo luftë po përfiton qeveria në Damask, ndërsa OKB-ja thotë se ekzekutimet masive mund të klasifikohen si krime lufte.Kjo është dhuna më e rëndë mes rebelëve që nga fillimi i luftës civile në Siri gati tre vjet më parë. Luftëtarët e opozitës kanë vënë në shënjestër grupin e lidhur me Al-Kaedën, Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë ((ISIS)), i cili ka terrorizuar civilët në Siri.Betejat mes rebelëve duket se po forcojnë qeverinë siriane. Forcat besnike të presidentit sirian Bashar al-Asad janë duke fituar terren në kaosin e krijuar nga luftimet mes grupeve opozitare.Vendet perëndimore shpresojnë se bisedimet e paqes do të hapin rrugë të reja për dërgimin e ndihmave humanitare dhe do të pakësojnë dhunën.Qeveria e Sirisë ka propozuar vendosjen e një armëpushimi në Alepo. Analistët e vënë në dyshim realizimin e këtij propozimi.Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, rebelët janë zotuar se do të vazhdojnë luftën. Pas disa javë luftimesh mes grupeve kryengritëse, duket se pozita e qeverisë është duke u forcuar.