Protestat në Ukrainë, protestuesit tërhiqen nga Ministria e Drejtësisë

Protestuesit anti-qeveritare në Ukrainë lanë godinën e pushtuar të Ministrisë së Drejtësisë, disa orë pasi ministrja Lukash kërcënoi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.Një zëdhënës i opozitës theksoi se gjesti i tyre kishte një domethënie simbolike dhe se nuk ishte qëllimi i protestuesve të provokojnë autoritetet e aq më pak të përdhosin institucionet.Sipas korrespondentëve të "BBC", protestuesit kanë braktisur godinën, por 30 prej tyre po qëndrojnë përpara godinës, duke mos lejuar asnjë që të futet brenda.Ministrja e drejtësisë, Olena Lukash, kërcënoi se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në qoftë se protestuesit nuk largohen nga ministria që ajo drejton."Unë jam anëtare e grupit të punës të ngritur për zgjidhjen e situatës. Do të detyrohem t'i drejtohem presidentit të vendit dhe t'i kërkoj ndërprerjen e bisedimeve nëse ndërtesa e Ministrisë nuk lirohet menjëherë dhe nëse pjesëmarrësve në bisedime nuk u jepet mundësia për të gjetur një zgjidhje paqësore," tha zonja Lukash.Krerët e opozitës kanë thënë se oferta e zotit Yanukovych për emërimin si kryeministër të udhëheqësit të protestave, Arseniy Yatsenyuk të Partisë Atdheu, dhe si zëvendës të tij ish-kampionin e boksit dhe kreun e partisë UDAR, Vitali Klitschko, nuk është e mjaftueshme për t'u dhënë fund demonstratave, të cilat janë përhapur në drejtim të pjesëve lindore të vendit, që shihen si mbështetëse të presidentit.Zoti Yatsenyuk tha se opozita nuk ka frikë të pranojë më tepër përgjegjësi politike, por shtoi se Presidenti Yanukovych ende nuk ka përmbushur disa kërkesa, duke përfshirë zgjedhjet e parakohshme, lirimin e protestuesve të burgosur dhe shfuqizimin e ligjeve të anti - protestës.Përballjet midis forcave të sigurisë dhe manifestuesve janë përhapur në të gjithë Ukrainën, si rrjedhojë e një krize dy-mujore politike, e cila besohet se do të përcaktojë shumë në kursin e vendit pro-Europës ose Rusisë.