SHBA: Irani s’është i hapur për biznes

Uashingtoni paralajmëron se marrëveshja e përkohshme për programin bërthamor të Iranit nuk hap rrugë për mundësi të reja ekonomike me Teheranin.Gazeta “The New York Times” citon nënsekretarin e Thesarit, David S. Cohen, të ketë thënë se “Irani nuk është i hapur për biznes” dhe se “një rrjet i gjerë i sanksioneve të komplikuara mbeten në fuqi”.Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë lehtësuar disa sanksione ekonomike për Iranin, në përputhje me marrëveshjen e arritur në muajin nëntor midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore – Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe SHBA-së.Republika Islamike ka nisur të hënën zbatimin e marrëveshjes, e cila kërkon nga ajo që të ndalojë disa aktivitete bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.