Sot bisedimet për tranzicionin politik në Siri

Negociatorët e qeverisë dhe opozitës siriane do të diskutojnë sot shqetësimin e tyre kryesor, zgjidhjen politike të luftës civile në vend. Ndërmjetësuesi njoftoi përparim në çështjen e ndihmave humanitare në bisedimet e djeshme.Ndërmjetësuesi që përfaqëson Kombet e Bashkuara dhe Lidhjen Arabe Lakdar Brahimi njoftoi arritjen e një marrëveshjeje lidhur me përpjekjet për të ndihmuar civilët në qytetin e rrethuar të Homsit."Angazhimi që morëm nga pala qeveritare është se gratë dhe fëmijët në zonën e vjetër të qytetit mund të largohen menjëherë dhe civilët e tjerë kanë leje të largohen, por duhet të regjistrojnë emrat në një listë të qeverisë”.Brahimi la të kuptohet se nuk është i shqetësuar për mënyrën se si qeveria mund ta shfrytëzojë këtë listë.Ai tha se ka gjithashtu shpresa se autokolona e ndihmave do të arrijë të futet në qytet, por ende nuk ka konfirmim. Ai shtoi se negociatorët diskutuan lirimin e të burgosurve, por ai nuk njoftoi ndonjë përparim në këtë front.Sot diskutimi do të përqëndrohet tek tema kryesore, e ardhmja politike e Sirisë. Zëvendës Ministri i Jashtëm Faisal Makdad tha dje se Presidenti Bashar al-Assad nuk do të largohet nga posti:"Nëse do të dëgjonim çdo kundërshtar që kërkon largimin e një udhëheqësi nga posti, nuk do të mbetej asnjë udhëheqës në botë. Nëse mendojnë se kemi ardhur këtu për t’u dorëzuar çelsat e Damaskut, e kanë gabim”.Makdad foli me tone sfiduese në konferencë. Ai fajësoi terroristët dhe luftëtarët e huaj për problemet e Sirisë. Delegacionet kanë shkëmbyer akuza të ashpra, duke kritikuar njëri-tjetrin për mungesë sinqeriteti dhe legjitimiteti.Anëtari i delegacionit të opozitës Monzer Akbik tha se përparimi në çështjen e Homsit do ta vërë në provë qeverinë, por bisedimet politike do të vazhdojnë."Nëse autokolonat e ndihmave nuk arrijnë të futen në Homs, do ta konsiderojmë si mungesë serioziteti nga pala tjetër në këtë proces. Nëse nuk ka përparim në këtë temë, ne do të vazhdojmë bisedimet politike”.Ndërmjetësuesi shprehu shpresën se bisedimet mbi çështjen humanitare dhe të burgosurit do ta lehtësonin procesin e bisedimeve për tranzicion politik. Por zoti Brahimi theksoi se bisedimet e sotme do të jenë vetëm fillimi."Në ditën e parë askush nuk bëri një deklaratë në hapje të takimit. Parashikoj që palët të bëjnë deklarata të përgjithshme në bisedimet e ardhshme”.Brahimi tha se procesi do të jetë i ngadaltë, por ai shtoi se kjo nuk është në vetvete një gjë negative, pasi nevojitet të ndërtohet përparim i mirëfilltë dhe i qëndrueshëm.