Egjipt, mbështetje e fortë për kushtetutën e re
Autoritetet në Egjipt thotë se vendi ka votuar në masë dërrmuese në favor të kushtetutës së re, që u prezantua si dokument që zëvendëson kushtetutën pro-islamiste të hartuar nga aleatët e ish-Presidentit Mohamed Morsi. Megjithatë, shifrat zyrtare të publikuara dje në Kajro tregojnë një pjesëmarrje relativisht të ulët, nën 40 për qind.Turma duartrokiti kur kreu i Komisionit Zgjedhor Nabil Salib tha se pjesëmarrja në referendumin dy ditësh për kushtetutën ishte e konsiderueshme.Ai tha se 20.6 milionë nga 53 milionë egjiptianë me të drejtë vote morën pjesë në referendum dhe 98.1% prej tyre votuan për kushtetutën. Pjesëmarrja prej 38% ishte më e lartë se 33% në referendumin e mëparshëm në 2012, kur egjiptianët votuan për kushtetutën e paraqitur nga Presidenti i atëhershëm Mohamed Morsi i Vëllazërisë Myslimane.Salib shtoi se kushtetuta e re mori 98.1% miratim, krahasuar me 64% mbështetje për dokumentin e zotit Morsi me përmbajtje islamiste, e cila kundërshtohej nga egjiptianët që duan një qeveri laike. Një pjesë e mirë e gjyqësorit nuk pranoi të ndiqte procesin e votimit në 2012, gjë që u la dorë të lirë gjykatësve islamistë në pjesën më të madhe të qendrave të votimit.Televizioni shtetëror egjiptian njoftoi se Presidenti i përkohëshëm Adly Mansour do të mbajë një fjalim drejtuar vendit brenda 24-48 orësh për të diskutuar rrugën drejt demokracisë. Pritet që ai të thotë se do të zhvillohen zgjedhje për parlamentin e ri, pasuar nga zgjedhje presidenciale.