AAK: Nuk përdorim ‘jogurt’ revolucionin për marrje të pushtetit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të VV-së, Albin Kurtit, i cili është shprehur se Ramush Haradinaj nuk ka parime dhe se shikon vetëm se si të bëhet Kryeministër.“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që nga krijimi i saj gjithmonë është prirë nga parimet e lirisë, interesave nacionale dhe shtetndërtimit. Në rrugëtimin e njerëzve që kanë prirë me këtë subjekt politik asnjëherë nuk ka qenë oportunizmi dhe kalkulimi me vota përcaktues i qëndrimeve politike. Për shkak të urrejtjes personale ndaj kujtdo nuk i sakrifikojmë interesat nacionale asnjëherë e as atëherë kur mund të na kushtojë me votë”, thuhet në reagimin e AAK-së.“Lideri i VV-së, duhet të dijë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka parime dhe udhëhiqet nga parimet. AAK, nuk e përdorë dogmën, shpifjet e as metodat e ‘jogurt’ revolucionit për ardhje në pushtet. Vazhdojmë t'i ofrojmë qytetarit të Kosovës opsionin tonë për Qeverisje si opsion i vetëm që vendosë Kosovën në binarë të duhur”, përfundon reagimi i AAK-së.Albin Kurti deklaroi se AAK dhe lideri i saj po bëjnë yrysh pas secilës parti që ua mundëson ardhjen në krye të Qeverisë.“Haradinaj nuk ka as program, as parime dhe as ekip. Ai ecën duke parë se çka i jep gjasë të bëhet kryeministër”, kishte thënë Kurti.