Luftë e fshehtë me të dhënat e azilkërkuesve
Shërbimet sekrete amerikane kanë përdorur informacione nga dëshmitë që japin azilkërkuesit që merren pyetje në Gjermani në lidhje me shkaqet se përse kërkojnë azil.Sipas të dhënave të një ish-punonjësi të lartë të Pentagoni informacionet e mbledhura gjatë intervistave të azilkërkuesve përfshihen në "sistemin e objektivave" të shërbimeve sekrete të SHBA. Me sa duket edhe informacione në dukje pa asnjë rëndnësi mund të jenë të vlefshme "për të konfirmuar një objektiv - dhe ndoshta edhe për të dhënë urdhër për vrasjen e dikujt me avionë pa pilot."Supozohet se autoritetet gjermane i kanë furnizuar SHBA-të në mënyrë sistematike me informacione që rrjedhin nga refugjatët. Ndër to bëjnë pjesë edhe të dhëna për celularët e personave të dyshuar si terroristë.Sipas gazetarëve të gazetës Süddeutschen Zeitung dhe të stacionit televiziv Norddeutsche Rundfunk azilkërkuesve në Gjermani u është kërkuar që të japin të dhëna të hollësishme për gjendjen e sigurisë në vendet e tyre, apo për persona të caktuar, që dyshohet se janë ekstremistë islamikë.Kështu një refugjat nga Somalia tregoi se kur e kishin marrë në pyetje në lidhje me kërkesën për azil nëpunësit gjermanë, e kishin pyetur edhe për drejtues të milicëve islamikë Al-Schabaab dhe se ndër të tjera i kishin kërkuar të tregonte numrin e telefonit dhe detaje për vendndodhjen e një nga udhëheqësve të kësaj milicie. Personi që e kishte marrë në pyetje nuk i kishte thënë se ishte punonjës i shërbimit sekret.Sipas ish-nëpunësve të shërbimeve sekrete të SHBA dhe Britanisë së Madhe, "Zyra Qendrore gjermane për Marrjen në Pyetje" u ka përcjellë atyre informacione nga intervistat me refugjatët. Ndonjëherë agjentët amerikanë ose britanikë kishin marrë pjesë madje edhe personalisht në marrjen në pyetje të refugjatëve. Një bashkëpunëtor shumëvjeçar i Pentagonit thotë se kishte intervistuar vetë azilkërkues në Gjermani dhe se informacionet e mbledhura nga deklaratat e azilkërkuesve ishin përdorur për plane bombardimesh.Një zëdhënëse e qeverisë gjermane konfirmoi se rreth 40 nëpunësit e "Zyra Qendrore gjermane për Marrjen në Pyetje" e cila është themeluar në vitin 1958, marrin në intervistë azilkërkues dhe gjermanë të riatdhesuar, që vijnë nga rajone krizash të "cilat kanë një domethënie të veçantë për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë."Pjesëmarrja në këto intervista është vullnetare dhe nuk bëhet me detyrim. Në lidhje me përmbajtjen e bisedave, nëse informatat u përcillen shërbimeve të huaja apo nëse të dhënat përdoren për operacione ushtarake, zëdhënsja tha se nuk mund të jepte përgjigje, sepse kjo nuk lejohet nga rregullt për ruajtjen e sekretit.