Në Filipine pas tajfunit: “Më keq se në ferr”
Ndërsa Vietnami po përgatitet për arritjen e tajfunit të dobësuar, por akoma të fuqishëm, Haiyan, Filipinet po përballen me shkatërrime që nuk i kanë parë kurrë më parë.
Nuk ka energji elektrike, nuk ka ushqim, nuk ka ujë. Shtëpitë dhe ndërtesat janë shkatërruar. Trupa njerëzish të shpërndarë nëpër rrugë. Spitalet e stërmbushura me pacientë. Mbarim i furnizimeve të barërave, shkruan CNN.
Kryqi i Kuq në Filipine thotë se bëhet fjalë për të paktën 1200 persona të vrarë nga Haiyan, por numri mund të ndryshojë kur rrugët të hapen dhe zyrtarët do të mund të vizitojnë të gjitha zonat e prekura nga stuhia.
Qyteti i Tacloban, në provincën Leyte, është më i prekuri. Ai ishte një nga vendet më të goditura.
Kryetari i komunës së Tacloban tha se 10.000 njerëz mund të kenë vdekur.
“Njerëzit ishin të bindur se ajo do të ishte si çunami. Ende nuk kam folur me dikë që nuk e ka humbur dikë, ndonjë anëtar të afërt të tyre. Po shikojmë, sa më shumë që po mundemi”, tha ai për CNN.
Në aeroportin e shkatërruar në Tacloban, njerëzit shkojnë të dëshpëruar për të parë nëse ka ndihmë në ujë dhe ushqime.
Magina Fernandez, është njëra nga to. Ajo humbi shtëpinë dhe biznesin e saj, ishte e dëshpëruar për të pritur aeroplanin e dytë ushtarak për të marrë ushqim.
Ajo bënë thirrje për ndihmë.
“Kërkoj ndihmë ndërkombëtare këtu tani, jo nesër, tani. Këtu vërtetë është shumë keq, shumë keq, më keq se në ferr, më keq se në ferr”, thotë ajo.
Ajo, dhe më shumë se 200.000 mijë banorë të tjerë, të qytetit, janë të zemëruar edhe me autoritetet shtetërore, që sipas tyre ndihmuan shumë vonë.
Një tjetër skenë dëshpëruese në këtë vend është në spitalin e vetëm funksional në qytet. Doktorët nuk mundën të pranonin shumë viktima, shumë të plagosur për shkak të hapësirës së pamjaftueshme. Shumë të plagosur, trajtohen në korridoret e spitalit.
“Nuk na ka mbetur asgjë, për të ndihmuar njerëzit. Urgjentisht nga duhet furnizim”, tha një doktor për CNN.
Kombet e Bashkuara dhe partnerët humanitarë vlerësojnë më shumë se 9.5 milion persona të prekur nga tajfuni, me 620.000 të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Derisa ende nuk dihen dëmet e tajfunit, fëmijët mendohet se janë pjesa më e prekur.
Sipas UNICEF, 1.7 milionë fëmijë besohet se po jetojnë në rrugë, në zonat e shkatërruara.