Gjermanët e amerikanët diskutojnë sot për përgjimet
Një delegacion zyrtarësh gjermanë po takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me këshilltarët e Presidentit Barack Obama për sigurinë dhe kundërterrorizmit, për të diskutuar mbi njoftimet se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar celularin e kancelares Angela Merkel. Ndërkohë, komisioni i lirive civile i Parlamentit Evropian vazhdon vizitën në Uashington, me një takim me një specialist të çështjeve evropiane të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare.Kreu i kësaj Agjencie, gjenerali Keith Alexander tha dje se njoftimet se NSA ka mbledhur tabulatet telefonike të miliona qytetarëve evropianë, janë krejtësisht të rreme. Ai tha në një seancë në Kongres se gazetat evropiane kishin keqinterpretuar informacionin e marrë nga ish-kontraktori i zbulimit, Edward Snowden.“Ata përmendin si provë kopje të rezultateve të një instrumenti në internet që përdoret për menaxhim të dhënash, por si ata, si personi që i vodhi të dhënat sekrete nuk e kuptuan se për çfarë bëhej fjalë. Instrumenti i internetit numëron të dhëna metadatash që gjenden në gjithë botën dhe e paraqet shumën e tyre në disa formate të ndryshme. Burimet e metadatave përfshijnë të dhëna të grumbulluara ligjërisht nga NSA, si edhe të dhëna që i janë dhënë NSA-së nga partnerë të huaj”, tha gjenerali Alexandër.Ai shtoi se agjencitë evropiane të zbulimit ia dhanë këto të dhëna NSA-së dhe se detajet u përdorën për të mbrojtur forcat amerikane dhe evropiane në terren dhe qytetarët në vendet e tyre.Njoftimet se NSA-ja mblodhi të dhëna telefonike dhe monitoroi komunikimet nga 35 udhëheqës botërorë kanë indinjuar politikanët dhe avokatët e lirive civile si në Shtetet e Bashkuara, edhe në vende të tjera.Një anëtar gjerman i delegacionit të Parlamentit Evropian që ndodhet në Uashington, e shprehu këtë indinjatë.“Asnjëherë mos përgjo miqtë, qoftë ambasadat, ose politikanët, mos bëj asgjë që nuk kemi rënë dakord paraprakisht. Dhe kur bëhet fjalë për të përgjuar qytetarët e zakonshëm, nuk duhet të jetë më e pranueshme dhe mendoj se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme, sepse nuk e kemi ndjesinë e të bashkëpunuarit lirisht, nëse fqinji apo miku yt po të përgjon”, tha Eurodeputeti Elmar Brok.Kancelarja gjemane, Angela Merkel e telefonoi Presidentin Obama javën e kaluar për të shprehur personalisht pakënaqësinë e saj.Por Drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper që po ashtu dëshmoi dje në Kongres, tha se grumbullimi i informacionit për udhëheqësit e huaj është “një parim bazë” i zbulimit amerikan.Disa ligjvënës amerikanë kanë bërë thirrje për kufizime të reja në mënyrën e mbledhjes së informacionit të zbulimit.