13 të vdekur nga stuhitë e forta në Evropë
Një stuhi e fortë e shoqëruar me erëra me shpejtësi 160 kilometra në orë që goditi dje pjesën jugore të Britanisë së Madhe, Holandën, Francën dhe Gjermaninë,ka lënë të vdekur 13 persona, 6 prej të cilëve në Gjermani.
Dy persona humbën jetën kur makina e tyre u përplas me një pemë të rrëzuar në Gelsenkirchen, në Gjermaninë perëndimore ndërsa dy fëmijë të cilët udhëtonin me viktimat, kanë mbetur të plagosur.
Në perëndim të Francës, një grua u rrëmbye nga dallgët e detit, ndërkohë që në Amsterdam të Holandës një pemë e rrëzuar nga era bëri që një grua të përfundonte në një kanal.
Erërat me shpejtësi rekord prej 191 km/h kanë pushtuar gjithë Detin e Veriut, teksa shumë trena kanë anuluar udhëtimet e tyre brenda dhe përqark Londrës, si dhe në veri-perëndim të Gjermanisë.Të paktën 50 fluturime janë anuluar në aeroportin “Schiphol” të Holandës, ndërkohë që mediat gjermane ka raportuar për disa vonesa në aeroportet e Hamburgut dhe Dyseldorfit.Aeroporti i Londrës Heathrow ka anuluar 130 fluturime, ndërkohë që stuhia shkaktoi anulime masive të shërbimeve të trenave në jug të Britanisë, Danimarkë, Holandë dhe Gjermani.
Më shumë se 500 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në Britani dhe Francë.Ndërprerja e energjisë elektrike ka goditur mbi 42 mijë shtëpi në veri të Francës, ndërkohë që në Belle-Ile (Brittany), një grua ra në det nga një shkëmb. Stuhia kaloi përmes Brittany dhe Normandisë mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve dhe mungesë të energjisë elektrike në shumë zona.Në Britaninë e Madhe, të paktën 600 mijë shtëpi kanë mbetur pa drita, edhe pse më vonë ato u rikthyen në disa zona.