Ende telashe për Shakirën, "ishi" i kërkon 250 mln dollarë
Kohë të vështira këto për pop-starin kolumbian Shakira, e cila prej viti 2011 është e lidhur me futbollistin e mirënjohur Gerard Piqué. Pas fjalëve të përhapura për një videoje ku këngëtarja shfaqet në intimitet me të dashurin e saj, tashmë është ish-i dashuri Antonio de la Rua që po i shtohet radhës së “shantazheve” ndaj kolumbianes. Ai përmes një gjykate në Londër ka kërkuar nga aktorja 18 për qind të fitimeve të saj kolosale gjatë periudhës që të dy kanë qenë të fejuar.Në thelb të kësaj kërkese qëndron ndërprerja e lidhjes, jo pak por 12-vjeçare nga ana e Shakirës, pasi De la Rua gjatë kësaj kohe ka qenë edhe menaxheri i këngëtares. Ai është përkushtuar shumë dhe ka një pjesë të konsiderueshme të kontributit të suksesit të saj.Antonio de la Rua, djali i ish-presidentit argjentinas Fernando de la Rua, në kërkesën e tij pretendon se ka qenë promotori kryesor që ka bërë të mundur ngritjen e karrierës së Shakirës, nga një amatore e re në një këngëtare me famë botërore, por tashmë ai kërkon që të shpërblehet për punën e tij. Kjo, dhe për faktin se duke punuar për të ngritur karrierën e këngëtares, la pas dore karrierën e tij të shkëlqyer në fushën e menaxhimit dhe marketingut.Nga ana e saj, Shakira është përgjigjur se nuk ka asnjë borxh të pashlyer me De la Ruan, me të cilin sipas saj është ndarë në mënyrë miqësore.