Irani ankohet në OKB: SHBA po provokon në Persik

Irani ka akuzuar Marinën e Shteteve të Bashkuara për “akte provokative dhe të paligjshme” në Gjirin Persik dhe në Detin e Omanit. Ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Mohammad Khazaee, tha se marina amerikane në mënyrë të vazhdueshme ka shkelur hapësirën ajrore të Iranit.Në letrën dërguar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori iranian ka theksuar fluturimet mbi hapësirat bregdetare në Bushehër, në shtatë raste gjatë muajit tetor, dhe fluturimin e një avioni amerikan pa ekuipazh më 1 nëntor, që nuk i ka respektuar të gjitha vërejtjet me radio-lidhje dhe ka depërtuar në hapësirën iraniane.Në letër kërkohet nga Kombet e Bashkuara që t’i tërhiqet vërejtja Uashingtonit “kundër vazhdimit të akteve që paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Poashtu, tërhiqet vërejtja për “përgjigjje armiqësore” ndaj çfarëdo akti provokues.Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka bërë komente lidhur me këtë çështje. Pak javë më parë, forcat ushtarake detare amerikane njoftuan se një grup anijesh amerikane të desantit arritën në rajonin e Gjirit Persik.Grupi përbëhej nga anija universale e desantit "Peleliu", anija helikoptermbajtëse e desantit "Green Bay", doku transportues i desantit "Rushmore", batalioni i marinsave, forcat speciale, skuadroni i helikopterëve luftarakë dhe ushtarakë të transportit, një skuadrilje e aeroplanëve gjuajtës-sulmues gjatë fluturimit vertikal dhe gjatë uljes si dhe një nëndetëse bërthamore.