Fuqizohet presidenti i Egjiptit, Mohamed Mursi
Presidenti egjiptian, Mohamed Mursi, përmes një deklarate, ndaloi çdo lloj ndryshimi të dekreteve, ligjeve dhe vendimeve të firmosura prej tij.Asnjë gjykatë nuk mund të shpërndajë Asamblenë, që do të hartojë Kushtetutën e re të vendit. Mursi shkarkoi Kryeprokurorin e Përgjithshëm dhe urdhëroi rigjykimin e të gjithë atyre, që vranë protestuesit, përfshirë edhe ish-presidentin Hosni Mubarak.Udhëheqësi i opozitës, Mohamed El Baradei, fitues i Nobelit të Paqes, akuzoi Mursin se po vepron si një “faraon i ri”. Sipas tij, të gjitha këto ndryshime e vendosin presidentin mbi ligjin.Javën e kaluar, mijëra protestues u grumbulluan në sheshin Tahrir, duke kërkuar reforma politike dhe ndjekjen penale të zyrtarëve, të akuzuar për vrasjen e protestuesve, vitin e kaluar.Shumë egjiptianë janë të mendimit se vendit i mungon drejtimi politik. Caktimi i një prokurori të ri mund të konsiderohet si një përpjekje e presidentit Mursi, për të mbytur pakënaqësinë popullore.Talaat Ibrahim do të zëvendësojë, në postin e Kryeprokurorit, Abdel Maguid Mahmud, i cili la të lirë disa zyrtarë të akuzuar për shtypjen e dhunshme të protestave.Kjo solli për pasojë përleshjet në sheshin Tahrir, mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të regjimit, në muajin tetor.Presidenti u përpoq ta largonte nga ai post Mahmud, duke e emëruar si të dërguarin e Egjiptit në Vatikan, pa i dhënë një arsye zyrtare, por Mahmud sfidoi Mursin dhe u kthye në punë.Kryeprokurori i sapoemëruar ka si detyrë parësore, rinisjen e hetimeve të lëna përgjysmë nga paraardhesi i tij, për shtypjen e protestave dhe vrasjen e protestuesve.Gjykatësit e konsiderojnë dekretin presidencial si një sulm ndaj pavarësisë së gjykatave. Presidenti Mursi tha se dekreti i tij ka si qëllim “të pastrojë institucionet shtetërore dhe të shembë plotësisht regjimin e vjetër”.