Siria, Kerry e Lavrov takohen sërish në New York
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov vazhdojnë bisedimet në Gjenevë lidhur me rrugët për të bindur Sirinë të dorëzojë arsenalin e saj të armëve kimike.Gjatë një pushimi në takimet, ku merr pjesë edhe i dërguari ndërkombëtar për Sirinë, Lakhdar Brahimi, Ministri Lavrov dhe Sekretari Kerry thanë se kanë shpresë se bisedimet do të çojnë në rigjallërimin e një plani ndërkombëtar për t'i dhënë fund luftës në Siri."Jemi duke punuar me këmbëngulje për të gjetur terren të përbashkët që kjo të realizohet. Kemi diskutuar mbi një pjesë të punës që ne të dyve na duhet të bëjmë. Sot unë nuk do të hyj në hollësi. Ne të dy ramë dakord për ta bërë këtë punë dhe për t'u takuar përsëri në Nju Jork rreth datës 28 shtator, kur atje mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të parë nëse është e mundur të gjejmë një datë për atë konferencë. Kjo do të varet shumë nga ajo se sa sukses do të kemi këtu në orët dhe ditët që pasojnë mbi subjektin e armëve kimike," tha Sekretari Kerry.Ministri rus, Lavrov falenderoi Sekretarin Kerry për seriozitetin e treguar në punën për çështjen e armëve kimike të Sirisë, megjithë ngarkesën e madhe në punën lidhur me konfliktin arabo-izraelit.Ndërkohë, Presidenti sirian Bashar al-Asad i tha televizionit rus se ai do të heqë dorë nga armët e tij kimike kur SHBA të ndalin kërcënimet për veprime ushtarake.