Indi, 4 dënime me vdekje për përdhunim
Një gjykatë indiane dënoi me vdekje katër persona të akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen e një studenteje 23-vjeçare në Nju Delhi dhjetorin e vitit të kaluar.Mukesh Singh, Vinay Sharma, Akshay Thakor dhe Pauan Gupta u shpallën fajtorë për të gjitha akuzat e ngritura kundër tyre dhe gjyqtari i cështjes tha se bëhej fjalë për cështjen “më të rrallë ndër të rrallat e kësaj kategorie” duke refuzuar kërkesat e avokatëve të të pandehurve për dënime më të lehta.“Për nga dinamika e ngjarjes, cështja bën pjesë në grupin e më të rrallave ndër të rralla dhe për këtë është i nevojshëm një ndëshkim shembullor me vdekje”, argumentoi gjyqtari.Të dënuarit shpërthyen në lotë teksa gjyqtari njoftoi vendimin e marrë, ndërsa jashtë salle qindra njerëz protestonin duke kërkuar varjen për të akuzuarit.Studentja 23-vjeçare u sulmua dhe u përdhunua në një autobus në Nju Delhi teksa ndodhej në shoqërinë e një miku të saj. Vajza gjeti vdekjen dy javë më vonë. Rasti ngjalli zemërim në opinionin publik vendas dhe disa ditë protesta të dhunshme që kërkonin dënimin maksimal për autorët.