Italia pranon emigrantët e bllokuar në detin Mesdhe

Italia ka pranuar të marrë më shumë se 100 emigrantë të bllokuar për ditë të tëra në një anije në detin Mesdhe pasi Malta refuzoi t’i strehonte ata. Malta dhe vende të tjera të Mesdheut, si Italia dhe Greqia po i kërkojnë Bashkimit Evropian që të ndajë barrën, ndërsa emigrantët vërshojnë drejt pikave të hyrjes së BE-së dhe krijojnë vështirësi për popullatat e vendeve të tyre.Emigrantët mbërritën në Itali të mërkurën. Ata u shpëtuan të dielën nga barka e tyre e dëmtuar rëndë prej një anijeje në bregdetin e Libisë, dhe kishin mbetur të bllokuar në anije për disa ditë me radhë.Mes emigrantëve besohet të jenë 4 gra shtatzëna dhe një foshnje 5 muajshe.Por kryeministri i Maltës kishte thënë se emigrantët nuk ishin në rrezik dhe refuzoi të lejonte hyrjen e tyre në vendin e vogël ishull.Malta është pikëhyrja kryesore për emigrantët që përpiqen të shkojnë në Evropë nga Afrika. Sipas Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar më shumë se 1,500 njerëz mbërritën nga deti, një influks ky i madh për një vend me popullsi prej vetëm 500 mijë banorësh. Relativisht me popullsinë e saj, Malta pranon numrin më të madh të azil kërkuesve në botë.Këtë vit Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë për t’u dhënë më shumë mbështetje të ashtuquajturave vendeve "në vijat e frontit", përfshirë edhe shqyrtimin e mundësive të reja për të transferuar në vende të tjera të Evropës këta azil kërkues.Komisioni Evropian e kritikoi Maltën që nuk pranoi emigrantët nga Afrika Veriore, të cilët mbërritën në bregdetin e saj të dielën. KE-ja tha se Malta e kishte për detyrë që t’i pranonte pasagjerët për arsye humanitare.