Venezuelë, Gjykata Supreme refuzon apelimin e Capriles
Gjykata më e lartë e Venezuelës ka refuzuar apelimin e liderit të opozitës Henrique Capriles kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të kontestuara në muajin prill. Gjykata supreme e drejtësisë e përshkroi apelimin si "të papranueshëm".Capriles pas këtij vendimi të gjykatës postoi një mesazh në Twitter, në të cilin theksonte "mungesën e drejtësie" në Venezuelë. Ai akuzoi se votimi ishte njollosur nga manipulimi.Pasardhësi i përzgjedhur nga vetë Hugo Chavez kur ai ishte në jetë, Nicolas Maduro fitoi zgjedhjet me më pak se 1,5% të votave në vend. Në qershor Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës konfirmoi fitoren e Presidentit Maduro pas një auditi të miliona votave ,por Capriles denoncoi auditin si "të rremë".Për vendimin e së mërkurës gjykatësja Gladys Gutierrez tha se opozita nuk kishte ofruar "prova të mjaftueshme" për të mbrojtur pretendimet e tyre.Apelimi ishte dorëzuar nga Capriles, koalicioni opozitar dhe shumë qytetarë të Venezuelës.Të martën Capriles kritikoi vonesën e gjykatës në marrjen e një vendimi dhe tha se do ta çonte çështjen në "gjykatën ndërkombëtare".Zgjedhjet e prillit u mbajtën pas vdekjes së Presidentit Hugo Chavez, më 5 mars pas një beteje të gjatë kundër kancerit.