Akademik Pilika, personaliteti i rëndësishëm i matematikës shqiptare

Akademia e Shkencave kujtoi në ditën e lindjes matematikanin e shquar, akademik Petraq Pilika.

Petraq Pilika lindi më 3 qershor të vitit 1924. Ai është një nga personalitetet më të rëndësishme të matematikës shqiptare dhe arsimit universitar dhe një nga figurat më të shquara të shkencës shqiptare.

Përfundoi Liceun Kombëtar Francez të Korçës dhe që në rini u përfshi në Lëvizjen dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Studimet e larta për matematikë i kreu në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1946–1951). Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1951 u emërua përgjegjës i katedrës së Matematikës dhe Fizikës në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Me themelimin e Universitetit të Tiranës, mori drejtimin e katedrës së Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të cilën e udhëhoqi për plot 31 vite.

Akad. Pilika luajti një rol kyç në zhvillimin e kërkimit shkencor në matematikë në Shqipëri, duke e orientuar atë drejt fushave me perspektivë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe të aplikimeve shkencore. Kontributet e tij më të rëndësishme janë në teorinë e funksioneve, me punime të botuara brenda dhe jashtë vendit.

Në vitet ’70 ishte ndër figurat kryesore në hartimin e strategjisë së zhvillimit të matematikës në Shqipëri. Gjithashtu, ishte organizatori kryesor i dy konferencave kombëtare të matematikës (1984 dhe 1989) dhe përfaqësoi vendin në forume të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë kongreset botërore të matematikës në Nis (1970) dhe Helsinki (1978).

Në vlerësim të figurës dhe kontributit të tij të shquar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka themeluar çmimin “Petraq Pilika”. U nda nga jeta më 7 prill 2009, pasi la gjurmë të thella në arsimin dhe shkencën shqiptare.