Koleksioni origjinal i Gjon Milit, në Muzeun “Marubi”

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është duke përgatitur ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, e cila do të çelet për publikun më 12 qershor.

Ekspozita paraqet për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit (1904–1984), fotograf dhe inxhinier ndriçimi me famë botërore, i cili njihet si një nga pionierët e fotografisë së shpejtë (stroboskopike) dhe si fotografi i preferuar i yjeve të Hollivudit dhe artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, përfshirë Pablo Pikason.

Gjon Mili, i lindur në Korçë në vitin 1904, emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nisi në fushën e inxhinierisë elektrike: në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj qasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën sesi ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku hulumtoi mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike.

Muzeu “Marubi” thotë se, kjo ekspozitë ka edhe një dimension të rëndësishëm historik e identitar, pasi origjina shqiptare e Gjon Milit mbetet thelbësore në narrativën e tij, edhe pse e ndërtoi karrierën në SHBA.

Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në kujtesën artistike shqiptare. Kjo ekspozitë

Ekspozita, e kuruar nga Howard Greenberg, mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.