Suksesi vijon në Itali/ Kori i Teatrit të Operës do të këndojë shqip në Festivalin Ndërkombëtar, kulmi me "Nabucco-n"

Pas suksesit të baletit “Carmen” në Bologna, këtë herë është Kori i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) që do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën ndërkombëtare.

Kori shqiptar do të marrë pjesë në edicionin e 36-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kantos Korale “Sergio Chiarlo”, i cili zhvillohet nga 5 deri më 7 qershor 2026 në Savigliano dhe Piemonte të Italisë.

Në këtë event prestigjioz, ku marrin pjesë kore nga vende të ndryshme të botës, Kori i TKOBAP-së do të ngjitet në skenë me një repertor tërësisht shqiptar, duke sjellë për publikun italian tingujt, traditën dhe identitetin e muzikës shqiptare.

Kulmi i festivalit do të jetë interpretimi i përbashkët i fragmenteve nga opera e famshme “Nabucco”, ku të gjitha koret pjesëmarrëse do të bashkojnë zërat në një performancë të madhe kolektive, duke shënuar një nga momentet më të veçanta të aktivitetit.

Pjesëmarrja e TKOBAP-së në këtë festival shihet si një tjetër hap i rëndësishëm në prezantimin e kulturës shqiptare në skenat ndërkombëtare.