“Kinemaja shqiptare nuk nis nga zero”/ Regjisori Shanaj: Shqipëria ka histori filmike, jo “tokë djerrë”
Regjisori Joni Shanaj ishte i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, ku u diskutua për projektligjin e ri të kinemasë dhe shqetësimet që ai ka ngritur në komunitetin e artistëve.
Sipas tij, kinematografia shqiptare nuk nis nga zero, pasi ka një histori të gjatë të ndërtuar që nga koha e Kinostudios dhe filmave klasikë shqiptarë, të cilët vazhdojnë të kenë publik edhe sot.
Ai sjell si shembull regjisorë si Viktor Gjika dhe Kristaq Dhamo, të cilët kanë kontribuar në krijimin e një baze profesionale për industrinë e filmit në vend.
Sipas Shanajt, pavarësisht diskutimeve mbi periudhën ideologjike të asaj kohe, niveli artistik i atyre filmave mbetet i vlerësuar dhe ende kërkohet nga platformat televizive dhe streaming.
“Ne nuk kemi një tokë të zbrazët në kinematografi. Kemi një histori që fillon herët, me Kinostudion dhe me filma që kanë pasur nivel profesional. Regjisorë si Viktor Gjika dhe Kristaq Dhamo kanë qenë në moshë aktive dhe kanë ndërtuar një bazë serioze për kinemanë shqiptare.”-tha ai.
Në vijim të diskutimit, ai u ndal edhe te projektligji i ri për kinemanë, duke e krahasuar me ligjin e vitit 1996 dhe duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e hartimit të tij.
“Problemi është se projektligji i ri është i shkruar më keq se ai i vitit 1996. Nuk pasqyron realisht nevojat e kinemasë dhe lë shumë paqartësi për të ardhmen e prodhimeve filmike në vend.”-shtoi regjisori.

