Festivali i Filmit “Dea Open Air” në edicionin e 13-të me 40 produksione ndërkombëtare

Mbrëmjen e së hënës nisi edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air, i cili këtë vit zhvillohet nga 1-5 qershor.

Festivali nisi me pritjen e mirëseardhjes, përpara Universitetit të Arteve, fjalën e drejtorit të festivalit, Edmond Topi dhe më pas të pranishmit patën mundësinë të shihnin filmin “Gülizar” të regjisores turke Belkıs Bayrak (84 min), film i cili është pjesë e kategorisë së filmit me metrazh të gjatë. Filmi u shfaq në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.

“Ky festival tenton të kontribuojë në një vend ku nuk kemi rrjet kinemash, por edhe për faktin se qëllimi është kthimi i spektatorit në kinema, dhe jo vetëm prezantimi i filmave. Kinemaja të bën të mendosh, të emocionon”, tha Edmond Topi.

Nën moton Open air- Open minds (Qiell i hapur- Mendje të hapura) festivali do të shfaqë 40 filma nga 25 vende të botës, në dy lokacione kryesore: tek Amfiteatri i Universitetit të Arteve (ora 20:00) si dhe te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (ora 13:00, 15:00 dhe 17:00)

“Jemi me autorë që fokusohen te temat universale, por edhe te sfidat që njerëzimi ka kaluar dhe po vazhdon të kalojë. Kemi një shpërndarje të madhe gjeografike, nga Kina në Kirgistan, Evropë, SHBA”, theksoi Mirela Oktrova.

Festivali ka përzgjedhur filma me metrazh të gjatë, filma me metrazh të shkurtër dhe filma studentorë. Gjatë këtyre ditëve përveç projeksioneve të filmave do të zhvillohen: takime me artistët dhe autorët e filmave, rrjetëzim profesionistësh, shkëmbim idesh dhe bashkëpunime të reja, frymëzim për projekte dhe plane të së ardhmes etj.

Në kuadrin e Akademisë DEA, në qendër të programit të sivjetmë do të jetë bashkëpunimi me studentët e Departamentit të Regjisë së Filmit dhe Televizionit të Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Arteve – Prishtinë/Kosovë, si edhe me studentët e degës së Filmit pranë Departamentit të Arteve të Aplikuara të Universitetit Evropian të Tiranës. Studentët pjesëmarrës do të angazhohen gjatë ditëve të festivalit në një laborator praktik krijimtarie audiovizive, i cili do të ketë në qendër qytetin e Tiranës dhe marrëdhënien emocionale të artistit me hapësirën urbane.

Përgjatë disa ditëve të festivalit, studentët do të punojnë në terren, do të realizojnë intervista, vëzhgime dhe skena filmike në hapësira të ndryshme të qytetit, duke e kthyer vetë Tiranën në një personazh aktiv të rrëfimeve të tyre.

Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë se Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Universitetit të Arteve.