EMRAT/ Pas Gerald Bibës, arrestohen edhe dy personat që tërhoqën zv*rrë protestuesin në Zvërnec
Policia ka arrestuar dy roje private sigurie të Major Security, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, të dyshuar se në bashkëpunim me Gerald Bibën kanë dhunuar dhe tërhequr me forcë një protestues gjatë një tubimi në Zvërnec, në zonën e Portonovës. Sipas hetimeve, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj pjesëmarrësit në protestë dhe më pas e kanë mbajtur me forcë në një kabinë roje, deri në ndërhyrjen e policisë.
Sipas Policisë së Vlorës, ngjarja lidhet me tubimin e zhvilluar më 30.05.2026, ndërsa ndaj tre personave është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në incident.
Nga verifikimet rezulton se Artur Grami dhe Gazmend Vathi nuk figurojnë të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike, çka shton dyshimet për veprimtari të paligjshme gjatë ushtrimit të këtij shërbimi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.
Kujtojmë se Geraldo Biba, ish-“Mister Shqipëria 2012”, është arrestuar nga Policia e Vlorës nën akuzat “plagosje e lehtë me dashje” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”, pasi dyshohet si protagonist kryesor i dhunës ndaj qytetarit me inicialet E.S. gjatë një proteste në Zvërnec më 30 maj 2026. Biba konsiderohet si figurë de facto drejtuese e kompanisë “Major Security”, e cila zyrtarisht figuron në emër të vjehrrës Shpresa Myzyrit, ndërsa më herët ai ka mbajtur edhe pozicion administratori.

"Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.

