Pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare/ Hoxha: Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbylljen e kapitujve

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka ndarë nga Brukseli momente nga një aktivitet i organizuar në Misionin e Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, ku u festua rezultati i Konferencës së 8-të Ndërqeveritare dhe vlerësimi pozitiv i Shqipërisë në Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve, i njohur si IBAR.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha shkruan se ky është një moment i rëndësishëm për rrugëtimin europian të vendit dhe një rezultat që vjen pas vitesh reformash dhe angazhimi institucional.

Sipas tij, progresi i arritur konfirmon se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian mbetet i lidhur me rezultatet konkrete dhe punën e bërë nga vendet kandidate.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së, institucioneve europiane dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos. Hoxha shprehu vlerësim për mbështetjen e institucioneve europiane dhe të vendeve anëtare gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë.

Ai vlerëson se rezultati pozitiv i IBAR përbën një hap të rëndësishëm për vendin, por njëkohësisht sjell përgjegjësi të reja për vijimin e reformave dhe avancimin e negociatave me Bashkimin Europian.

Në fund të mesazhit, ministri përsëriti angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, me synimin për të përmbushur aspiratën e qytetarëve për t'u bërë pjesë e familjes europiane.