Prona në Zvërnec, Rama: Shumë mirë që po heton SPAK, por bllokimi i transaksionit, skandaloz

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbi origjinën e një pronës në zonën e shumëpërfolur ditët e fundit atë të Zvërnecit, duke e ndarë çështjen në dy aspekte të kundërta.

Nga njëra anë, Rama e vlerëson si tejet pozitiv dhe të mirëseardhur faktin që SPAK po heton thellësisht origjinën e kësaj pasurie, e cila ka ngjallur debate të forta në opinionin publik. Hetimi i plotë shihet nga Rama si rruga e vetme për të zbardhur të vërtetën mbi këtë subjekt.

Nga ana tjetër, situata merr një kthesë tjetër kur bëhet fjalë për dezinformimin e publikut.

Në këtë mes kanë ndërhyrë aktorë të vetëofruar, vijoi Rama, që shpërndajnë gjysmë të vërteta, të cilat në thelb cilësohen si gënjeshtrat më të rrezikshme për opinionin e gjerë.

Për sa u përket investitorëve aktualë të pronës, Rama theksoi se ata gëzojnë një reputacion global të padiskutueshëm. Blerja e pronës ka kaluar përmes një filtri të rreptë sipas legjislacionit shqiptar dhe burimet e tyre financiare janë verifikuar imtësisht.

Agjencia e Pastrimit të Parave, tha Rama, e cila nuk vepron e izoluar por në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ka konfirmuar se fondet janë tërësisht legale dhe rrjedhin nga institucione financiare prestigjioze.

Nisur nga këto fakte të pakontestueshme, bllokimi i transaksionit financiar për këta investitorë konsiderohet një veprim tërësisht arbitrar dhe me pasoja negative, duke u vlerësuar si një mohim i një të drejte të fituar në mënyrë të ligjshme.

PJESË NGA DEKLARATA E RAMËS

Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me të drejtë apo pa të drejtë këtë nuk e dimë, por i ngritur dhe pastaj i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo përfolje lidhet me një hetim të nisur për sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK-u ta hetojë origjinën e kësaj prone.

Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim. Nga ana tjetër, pjesa e shëmtuar është ajo e zëvendësve të vetë-ofruar, të cilët ndajnë me opinionin publik gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.

Pasi investitorët, të cilët sot janë zotëruesit e pronës, bazuar në legjislacionin shqiptar, duke ndjekur të gjitha procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm.

Burimet financiare të të cilëve, për të përcjellë pagesën tek zotëruesit e pronës, e nuk është një apo disa zotërues prone sipas titujve të pronësisë se atyre i referohemi, janë investiguar si të gjithë rastet e tjera.

Por në këtë rast edhe më imtësisht nga Agjencia jonë e Pastrimit të Parave, që nuk është një agjenci që vepron si një ishull, por është një agjenci që vepron në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Dhe kanë rezultuar totalisht, totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global. Kështu që, kjo çështje, siç është me dy pamje, duhet ndarë në dy pjesë.

Investitorët janë tërësisht në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ.